Hajdari: Akuzat e Pretenit, jo korrekte
Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, për punën e Prokurorisë, koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit, Drita Hajdari i cilëson jo korrekte dhe mendon se kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të pa interesuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë.
Koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit, prokurorja Drita Hajdari ka dalë në mbrojtje të sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili vazhdon të jetë i kritikuar për mosangazhim të duhur në luftën kundër korrupsionit.
Ajo thotë se nga mesi i vitit 2010, kur u emërua koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit ekipi që ajo udhëheq ka trashëguar një numër të madh të lëndëve, në mesin e tyre ishte edhe një numër i madh i lëndëve të korrupsionit.
“Statistikat tregojnë se në vitin 2011 janë kryer 70 për qind më tepër lëndë të korrupsionit, në krahasim me vitin paraprak 2010. Përndryshe, statistikat për këto lëndë janë transparente dhe unë, si koordinatore, kujdesem për grumbullimin e shënimeve në baza tre mujore dhe pastaj pas grumbullimit të statistikave, ne i publikojmë ato në media dhe në ueb-faqen e Prokurorisë së shtetit”, thotë Hajdari në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ajo thotë se mungon numri i mjaftueshëm të prokurorëve të specializuar për lëndët e korrupsionit. Me siguri nevojitet numër më i madh prokurorësh dhe staf mbështetës profesional.
Sipas Hajdarit, në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë janë akuzuar dy ish-ministra, disa menaxherë të prokurimit, zyrtarë të lartë të komunave dhe institucioneve të tjera.
Ajo demanton drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, për të cilin thotë se ka dalë në opinion “me numra bombastikë sa i përket numrit të kallëzimeve penale të paraqitura në prokuroritë e Kosovës”. “Mirëpo, unë disponoj një listë të këtyre kallëzimeve penale dhe numri i tyre është gjithsej 91 kallëzime penale që nga themelimi i agjencisë, deri në vitin 2012”.
Hajdari thotë se Preteni është duke zhvilluar një kampanjë agresive duke paraqitur punën e agjencisë si të suksesshme, në anën tjetër e paraqet punën e Prokurorisë si të pamjaftueshme dhe si një mungesë të angazhimit të Prokurorisë për procedimin e rasteve dhe luftimin e korrupsionit.
“Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion për punën e Prokurorisë nuk janë aspak korrekte dhe në esencë mendoj që kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të pa interesuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë”, thotë Hajdari. /Telegrafi/