Kalo te lënda

Autobusi bie në greminë, 16 të lënduar

E plotësuar – Aksidenti i ndodhur pasditen e të shtunës në segmentin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafën e Krrabës, kur një autobus pasagjerësh me targa të Librazhdit u rrëzua në zonën e Qershive, pranë fshatit Petresh, ka plagosur rëndë dy persona dhe ka lënduar lehtë 14 të tjerë.

Policia e Elbasanit bën me dije emrat e personave të lënduar nga ky aksident i ndodhur në Qafë Krrabë, teksa 35 aktivistë të Aleancës Kuq e zi po ktheheshin në Librazhd pas pjesëmarrjes në kongresin e parë të kësaj lëvizjeje, i mbajtur në mesditë në Tiranë.

Njëri prej të plagosurve, Artan Kojku është në gjendje kritike për jetën dhe ndodhet tashmë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Ndërsa të plagosur lehtë janë: Taulant Muça, Florian Shkurti, Fatmir Brazhda, Dritan Brazhda, Pranvera Dollaku, Altin Alla, Nebi Hysa, Albert Hasa, Refik Karaj, Endri Shkurti, Mehmet Dosku, Ymer Hoxha, Albert Stafa, Adelina Hysa, bën me dije agjencia e lajmeve NOA.al.

Autobusi bie në greminë

Policia e Shtetit deklaroi pak më parë se aksidenti ndodhi rreth orës 16.50’ të së shtunës, në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, rreth 3 km pa hyrë në qytetin Elbasan, në vendin e quajtur Qershitë, bën me dije Policia e Shtetit.

 

Sipas informacioneve të fundit autobusi me targa LB 31 56 ka dalë nga rruga rreth orës 16:30 duke përfunduar në greminë. Nga informacione paraprake jo zyrtare behet me dije se pasagjeret e këtij autobusi janë aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, raporton Top Channel.

Mësohet se forca policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që ka nisur transportimi i të lënduarve në spitalin e Elbasanit. Deri më tani Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se një numër i të lënduarve janë dërguar në Spitalin e Elbasanit dhe gjendja e tyre paraqitet pa probleme të rënda.

Ndërkohë drejtuesit e qarkullimit rrugor kanë ndërprerë lëvizjen e automjeteve në Qafën e Krrabës.

Vetëm pak javë më parë, një tragjedi u regjistrua ne Himarë, kur një autobus me studente ra ne greminë, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave, 11 vajzave te reja, shoferit dhe një djali, i fejuari i një prej vajzave që udhëtonin në autobus.

Sipas policisë, të gjithë pasagjerët janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Artan Kojku, ka marrë plagë të rënda.

Mësohet se Kojku është dërguar në spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.