Vazhdon ekzaminimi i provave në rastin Asanaj
Autoritetet e rendit në Prishtinë, ende nuk kanë dhënë ndonjë detaj lidhur me motivet dhe vrasjen e Dino Asanajt, drejtor i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili të enjten vdiq nga plagët e marra nga një sulm me thikë.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës, ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion më të hollësishëm, pasi që, sipas tyre, hetimet janë ende duke vazhduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se njësitë hetimore të policisë, janë në fazën e ekzaminimit të provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
“Policia e Kosovës, konkretisht drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, pra hetuesit që janë të angazhuar lidhur me ketë rast, janë duke punuar intensivisht në hetimin e këtij rasti. Momentalisht janë në fazën e ekzaminimin të provave dhe dëshmive që janë të lidhura me këtë rast”, bëri të ditur Sadriu.
Policia e Kosovës, tashmë ka njoftuar se “bazuar në hetimet preliminare të hetuesisë, i ndjeri Dino Asanaj është sulmuar në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në lagjen e Hajvalisë”, dhe siç thuhet, sulmi është kryer me thikë.
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se ende nuk ka filluar procesi i autopsisë, pasi që për rastin, pritet të formohet një komision.
“Jemi në pritje të urdhëresës dhe formimit të një komisioni, dhe brenda komisionit do të jetë edhe një ekspert mjeko-ligjor nga EUELX-i, dhe dy ekspertë mjeko-ligjorë vendorë. Urdhëresa është në rrugë e sipër dhe do ta përfundojmë edhe rastin në fjalë”, tha Gërxhaliu./rel/
Autoritetet më të larta të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partitë politike, e kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së Asanajt.
Lidhur me ketë vrasje, autoritetet kërkojnë nga organet kompetente të marrin të gjitha masat e domosdoshme, që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.