Serbia, e prirë të abuzojë me çështjen e Kosovës
Vetëm një ditë pasi presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliq, vizitoi Brukselin dhe premtoi që do t’iu sillte “të vërtetën për Kosovën” qytetarëve serbë, drejtoresha e Fondit për Shoqëri të Hapur në Serbi, Jadranka Jelincic, thotë se kjo është një shenjë më shumë që do të vazhdojë një politikë thellësisht e gjykuar gabim.
“Politikanët tanë pëlqejnë të përdorin fjalë të rënda për të fituar pikë të ulëta politike – por, shumicës së njerëzve nuk iu intereson shumë Kosova aq sa besojnë politikanët”, thotë ajo.
“Për publikun në Serbi, kjo çështje është e mbyllur. Kjo nuk do të thotë se duhet ta njohim Kosovën si shtet, por njerëzit e kanë pranuar realitetin dhe e dinë se gjërat nuk mund të kthehen prapa siç ishin në vitin 1998 (kur Serbia qeveriste Kosovën)”, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.
Sipas ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i cili u zgjodh javën e shkuar kryetar i Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, detyra e tij është të vazhdojë betejën për të ndaluar njohjet për pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.
Jelincici beson se ky qëllim është i pamend, për dy arsye. Së pari, vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Irani, Spanja ose Kina, e bëjnë këtë për interesat e veta, për të mos inkurajuar separatistët në vendet e tyre e jo sepse janë miq të Serbisë, siç thotë Jeremici. Së dyti, Jeremici e ka gabim që prezanton zgjedhjen e tij në postin e OKB-së si çështje që mund të ndryshojë situatën në, ose me Kosovën.
Jelincici thotë se qytetarët e Serbisë duhet të dinë gjithashtu se cili mund të jetë çmimi i pozitës së tij.
“Nëse çfarë thonë lituanezët është e vërtetë – se u zgjodh si rezultat i rivalitetit të Rusisë me Amerikën dhe se është e lidhur me gjendjen e tanishme në Lindjen e Mesme (ku SHBA-ja dhe Rusia po ndeshen për Sirinë], çështja është nëse Serbia duhet ta pozicionojë veten midis konfliktit të dy fuqive të mëdha. Për shkak të këtij konflikti, nuk është e qartë nëse Serbia mund të çojë përpara ndonjë nga interesat e saj në atë post”, shton ajo.
Ndërkohë, marrëdhënia midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet e rënduar nga mungesa e implementimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjetësuar nga BE-ja, ku të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për thyerje të marrëveshjeve të arritura. Një kundërshti tjetër po krijohet tani midis Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.
Borislav Stefanovic, kryenegociatori i Beogradit në bisedime, tha javën e shkuar se sipas marrëveshjes së lëvizjes së lire, serbët në veri të Kosovës nuk kanë nevojë të përdorin targat e Kosovës.
“Në asnjë vend të botës nuk është normale që të kihen dy ose më shumë targa për automjete. Kjo krijon hapësirë për trafik të automjeteve”, thotë Jelincic.
Ajo shton se dështimi për të implementuar marrëveshjet e arritura në bisedime po godet Serbinë, po ashtu edhe Kosovën, veçanërisht rajonin e Serbisë jugore që banohet kryesisht nga shqiptarë. Bllokada është veçanërisht shqetësuese në lidhje me njohjen e dyanshme të diplomave të universitetit.
Jelincici thotë se qëllimi fillestar i marrëveshjeve ishte të vendosej sundimi i ligjit në rajon dhe të ndihmohej lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që po e ndihmon seriozisht rajonin.
“Liderët e shteteve nuk duhet të harrojnë se nuk janë aty vetëm për të arritur interesat e ndërtimit të kombit”, thotë ajo. “Qëllimi i tyre i parë duhet të jetë një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët e tyre”. /Telegrafi/