Kalo te lënda

Reforma kushtetuese drejt dështimit

Nëse Gjykata Kushtetuese e shpallë antikushtetues nenin 10, i cili parasheh mbajtjen e zgjedhjeve gjashtë muaj nga hyrja në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në çështjen e presidentit, atëherë komplet reforma kushtetuese mund të dështojë.

Burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës bëjnë të ditur se kjo parti nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, nëse Gjykata Kushtetuese e shpallë antikushtetues amendamentin 10 të ndryshimeve kushtetuese.

“LDK-ja është e prirë që ta respektojë marrëveshjen e arritur në mes të tre liderëve politikë, Thaçit, Mustafës, Pacollit, marrëveshje e cila ka paraparë që të bëhen ndryshime të kushtetutës në çështjen e presidentit, ku gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve do të organizohej zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit nga populli. Nëse amendamenti 10 në ndryshimet kushtetuese shpallet antikushtetuese, atëherë ne si LDK definitivisht nuk do t’i votojmë ndryshimet që janë bërë”, i ka thënë ky “Tribunës Shqiptare”

Mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e LDK-së mund të ndikojë për dështimin e plotë të reformës zgjedhore. Kjo pasi për hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve nevojiten dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se nëse Gjykata Kushtetuese e shpallë antikushtetues amendamentin 10, atëherë edhe rezoluta e Kuvendit e cila ka paraparë ndryshimet kushtetuese në çështjen e presidentit, do të shpallej si antikushtetuese. /Telegrafi/