Kalo te lënda

Osaj: “VV, ka zgjedhur institucionin e gabuar për të protestuar”

Zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Asdren Osaj, ka thënë se Vetëvendosje ka protestuar gabimisht para Kuvendit Komunal të Prishtinës, ngase, sipas tij, obligimet për furnizim me ujë i takojnë menaxhmentit të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Lëvizja Vetëvendosje më ketë veprim, mendojmë se ka zgjedhur institucionin e gabuar për të protestuar, sepse ligji për ndërmarrjet publike e përcakton qartë se kush menaxhon me Ujësjellësin Rajonal ‘Prishtina’, kush janë në fakt pronarët legjitim të këtij ujësjellësi. Prandaj, ne mendoj se një veprim i tillë i ‘Vetëvendosjes’ tregon se ata nuk janë të njoftuar mirë me pushtetin lokal dhe legjislacionin i cili rregullon pushtetin lokal, kompetencat dhe përgjegjësit e institucioneve. Unë i rekomandoj që të lexojnë ligjin për Ndërmarrjet publike dhe të kuptojnë se ku duhet të protestohet dhe në cilat adresat të protestojnë. Duhet të protestojnë te ata që menaxhoj me ndërmarrjen Ujësjellësi Rajonal Prishtina, e jo të Kuvendi Komunal”, ka thënë Osaj.

Nga ana tjetër, Arjeta Mjeku nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina, ka shpjeguar për Kosovapress se mungesa e ujit të pijshëm, vjen si rezultat i keqpërdorimeve të shumta.

Por Mjeku, konsideron se është e pa logjikshme se si zyrtarët Komunal të Prishtinës ja hedhin fajin vetëm Ujësjellësit Rajonal Prishtina, për mungesë të furnizimit me ujë për Prishtinën. Sipas saj, një pjesë e fajit duhet ta mbajë edhe Komuna e Prishtinës, sepse lëshon leje ndërtimi pa menduar qasjen në ujësjellës, dhe pa menduar për kapacitete e furnizimit me ujë të atyre ndërtimeve.

“Një pjesë e fajit i mbetet edhe komunës së Prishtinës, sepse ne si ujësjellës nuk jemi ata që japim leje për ndërtime të larta, sepse në momentin kur Komuna e jep një leje, për mendim duhet të jetë edhe përgjegjëse se ajo ndërtesë a do të ketë qasje në sistemin e ujit të pijshëm. A ka ujë të mjaftueshëm, a ka kapacitete që ne t’i furnizojmë ato ndërtime andaj krejt faji nuk i mbetet Ujësjellësit, por një pjesë të fajit e merr edhe Komuna e Prishtinë”, ka thënë Mjeku.

Sa i përket mundësisë së furnizimit të rregullt me ujë për qytetarët e Prishtinës, ajo vlerëson se me ndërtimin e Fabrikës së re ne Shkabaj, do të zgjidhet edhe ky problem dhe qytetarët do të kenë furnizim 24 orë me ujë. /Telegrafi/