Kalo te lënda

“Medicus” ka paguar më së shumti 12 mijë dollarë për veshkë

Tre dëshmitarë të mbrojtur, të cilët kanë thënë se i kanë shitur veshkat e tyre në klinikën “Medicus” në Prishtinë, kanë dëshmuar të enjten përmes video-konferencave nga Izraeli, para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë lidhur me rastin “Medicus”. Dëshmitari i parë, A.O., 24 vjeçar, nga Bjellorusia, i cili jeton në Izrael, ka treguar se si borxhet e kishin detyruar ta merrnin hapin drejt shitjes së veshkës. Në vitin 2008, kur ai kishte qenë 20 vjeç, e kishte parë në një gazetë lokale ruse, e cila shitet në Izrael, një shpallje në të cilën kërkoheshin shitës veshkash. Sipas A.O, aty gjendej edhe një numër telefoni i Izraelit, të cilin ai e kishte kontaktuar me qëllim që t’u japë fund “telasheve ekonomike”. Ai ka treguar se pas telefonatës është takuar me një person të quajtur Dima, dhe është pajtuar ta shesë veshkën për 12 mijë dollarë.
Pasi që ia kishin bërë një test të gjakut, A.O. ishte përcjellë nga Dima për në Stamboll e më pas ishte nisur për në Kosovë. Tek pasi që kishte mbërritur në Prishtinë e kishte kuptuar se në të njëjtin aeroplan për në Kosovë kishte qenë edhe marrësi i veshkës së tij.
Me të arritur në klinikë, A.O. kishte nënshkruar një dokument për të cilin ka thënë se nuk e ka kuptuar mirë, pasi që anglishtja e tij ishte e dobët, mirëpo kishte qenë i vetëdijshëm se përmes nënshkrimit “pajtohej me operacionin” dhe dhurimin e veshkës.
“Nuk ndihesha mirë, kisha shumë frikë. Ishte një frikë ndryshe nga frika që kam ndier ndonjëherë. Isha i djersitur në tërë trupin, ngase mendoja se nuk do të zgjohesha fare. Nuk është e lehtë në një vend të huaj”, ka thënë dëshmitari, duke treguar se si i kishin dhënë injeksionet , dhe ishte zgjuar pas operacionit duke ndier dhimbje të mëdha.
Pas zgjimit, pranë krevatit të tij kishte qëndruar marrësi i veshkës, për të cilin ka thënë se “me sa i kujtohet” ka qenë 55 apo 60-vjeçar nga Izraeli dhe quhej Jozef. E për doktorin i cili e kishte realizuar operacionin, e përshkruan si një njeri të dobët në peshë, me syze dhe mustaqe.
A.O. kishte qëndruar pesë ditë në klinikën “Medicus”, dhe më pas kishte marrë rrugën për në Izrael. Në banjat e aeroportit në të cilin kishte zbritur në Izrael, ai kishte marrë paratë për shitjen e veshkës nga i njëjti person që e kishte përcjellë për në Kosovë.
“Ai m’i numëroi 7 mijë e 800 euro që ishin ekuivalente me 12 mijë dollarë”, ka thënë ai. Kështu ai ishte kthyer në shtëpinë e tij ku më pas i kishin filluar problemet shëndetësore, që ishin karakterizuar me infeksione e humbje gjaku dhe, sipas tij, ende vazhdon të ketë dhimbje dhe shtrëngime tek pjesa e plagës, të cilën ai e shfaqi para trupit gjykues. Kur prokurori i shfaqi përmes kamerës fotografi të 12 personave, për të cilët e pyeste nëse i kishte parë ndonjëherë, ai vetëm për fotografinë e doktorit turk, Jusuf Somnez, pohoi se e ka parë dhe ka thënë se ai është personi që e kishte operuar. Ndërkaq për doktorin Lutfi Dervishi ka thënë se nuk e ka parë ndonjëherë.
Njëzetekatërvjeçari ka treguar se e ka një dokument të vulosur, të cilin ia kishin dhënë kur ishte lëshuar nga klinika “Medicus”.
Ndërkaq për tërë këtë përjetim A.O. ka kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim për të cilin gjykata ka mbetur të vendosë.
“Nuk më kanë njoftuar për pasojat. Nuk e kam ditur se jam i privuar nga punët fizike. Kam pasur komplikime për të cilat doktorët në Izrael më kanë thënë se nuk ishte dashur t’i kisha”, ka shtuar A.O, sipas të cilit veshka tij është paguar 20 fish më pak sesa është vlera e saj në treg.
Si 20-vjeçar, aq sa ishte në atë kohë, ai e konsideronte veten fëmijë dhe si një njeri i cili ka humbur shumë.
“Nuk ka para që e shpaguan atë që unë kam humbur”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur A.O.

Ia “vjedhin” 3 mijë dollarë në pazar

Dëshmitarja e dytë, me prejardhje nga Uzbekistani, e cila jeton në Izrael dhe i takon një moshe mesatare, rrëfen se si kishte arritur deri tek informacioni se dikush po kërkon të blejë veshka. Ngjashëm me dëshmitarin e parë, edhe ajo e kishte parë një shpallje në një gazetë në gjuhën ruse.
“Në reklamë shkruhej: Blejmë veshkë. Më pas ishte një numër i telefonit”, ka treguar dëshmitarja e dytë.
Ajo kishte thirrur në atë numër dhe kishte rënë në kontakt e ishte takuar me një person të quajtur Dimitri. Ai person pas bisedës që kishin bërë i kishte treguar se për veshkën e saj do të mund të përfitonte 15 mijë dollarë. Pasi i ishte bërë analiza e gjakut, dhe i kishin treguar se i përputhej me një marrës, ajo kishte vendosur të nisej për në Kosovë.
“Më treguan se do të nisem për në Evropë, në relacionin Tel-Aviv- Stamboll- Prishtinë. Ishte 14 maji i vitit 2008, dhe me Dimitrin kam shkuar deri në Stamboll”, ka thënë ajo. Pasi kishte kaluar natën në Stamboll, të nesërmen ishte nisur për në Prishtinë e vetme. Në Aeroportin e Prishtinës ajo ishte takuar me dy djem të rinj në moshë, të cilët e kishin dërguar në klinikën “Medicus”. Aty ajo kishte takuar doktorin, të cilin e përshkruan si një person rreth të pesëdhjetave, shtatshkurtër dhe i dobët në peshë. Po ashtu edhe kishte nënshkruar një dokument në gjuhën ruse me nënshkrimin e të cilit ajo ka thënë se është pajtuar se “nuk do të ketë pretendime më vonë” për këtë çështje.
“Më bënë disa analiza dhe ultrazë, dhe pak më vonë më dhanë një injeksion”, ka treguar dëshmitarja.
Nuk kishte ditur asgjë derisa ishte zgjuar dhe e kishte parë veten të mbuluar me aparaturë mjekësore. Edhe ajo e kishte parë marrësin e veshkës së saj, për të cilin ka thënë se ishte një djalë i ri, turk dhe kishte familjarë, të cilët i qëndronin pranë. Pas pesë ditësh qëndrimi në klinikën “Medicus”, ajo së bashku me marrësin dhe familjarët e tij ishin nisur për në Stamboll, për të vazhduar më pas e vetme për në Tel-Aviv të Izraelit. Në aeroport ishte takuar me Dimitrin dhe i kishte marrë paratë. Mirëpo ia kishte bërë “me hile”. Asaj i ishin premtuar 15 mijë dollarë, ndërkaq Dimitri ia kishte dhënë vetëm 12 mijë dollarë.
“Ndihesha shumë keq. Kisha shumë dhimbje dhe nuk kisha forcë të kundërshtoja”, ka shtuar ajo, duke treguar se më pas për një kohë kishte shkuar tek motra e saj në Moskë, ngase nuk kishte pasur guxim të dilte para fëmijëve të saj në atë gjendje.
Nga fotografitë e personave të dyshuar dhe objektit të klinikës “Medicus”, të cilat prokurori ia tregonte, ajo e konfirmoi se është e sigurt vetëm për objektin se ishte saktësisht ai, ku ajo ishte operuar në vitin 2008. Dëshmitarja e dytë ka pohuar se ka ende probleme shëndetësore dhe se është duke u trajtuar përmes antibiotikëve.
Fakti që ajo ishte e papunë dhe që e kishte vajzën të sëmurë mentalisht e kishte shtyrë ta bënte këtë veprim. Por edhe borxhet ishin një prej arsyeve. Ajo kishte borxh 20 mijë shekel, valutë kjo që përdoret në Izrael e që janë ekuivalente, sipas saj, me 4 mijë euro.
“Unë kam kërkuar nëpër internet dhe kam parë se veshka ime është paguar shumë pak”, ka shtuar ajo, duke thënë se për veshkën e saj do të ishte dashur të paguhej 150 mijë euro. Kjo është vlera monetare të cilën ajo e kërkon si dëmshpërblim, dhe gjykata pritet të marrë një vendim lidhur me këtë.

Tri vajza kanë dhuruar veshkat në “paket”

Dëshmitarja e tretë B.S., një grua e moshës mesatare e lindur në Rusi, e cila nga viti 2006, kishte shkuar të jetonte në Izrael, ka thënë se edhe për të kanë qenë problemet financiare ato që e kanë shtyrë të ndërmerrte një hap të tillë.
“ E kam lënë vajzën 10-vjeçare në Rusi dhe jam nisur për në Izrael të fitoja para dhe t’i dërgoja asaj. Kam punuar një kohë si kujdestare fëmijësh në një familje izraelite”, ka nisur të tregonte B.S.
Duke shkuar në punë ajo e kishte parë në rrugë një gazetë dhe e kishte marrë. Në të e kishte vërejtur shpalljen e njëjtë ashtu si dy dëshmitarët e tjerë. Për një kohë ajo e kishte mbajtur shpalljen në shtëpi dhe nuk kishte marrë asnjë hap. Në momentin kur vajza e saj e kishte telefonuar dhe kishte kërkuar që ta merrte edhe atë në Izrael, ajo kishte vendosur përfundimisht ta shiste veshkën në mënyrë që të fitonte para për marrjen e vajzës. B.S kishte thirrur në numrin të cilin e kishte parë në shpallje dhe ishte takuar me një person për të cilin nuk ishte e sigurt nëse quhej Dima apo Slava. Ai i kishte thënë se për veshkën e saj mund të fitonte 10 mijë dollarë dhe e kishte lënë të mendonte për këtë çështje. Në takimin tjetër që ajo e kishte pasur, me atë person kishin qenë të pranishme edhe dy vajza, të cilat po ashtu ishin të interesuara të shisnin veshkat. Njëra prej tyre quhej Anja dhe ishte nga Ukraina, e për tjetrën B.S. ka thënë se nuk i kujtohet se si quhej.
“Të triave na dërgoi tek një person, i cili kishte dhuruar veshkë dhe ai na tregonte se ndihej shumë mirë dhe nuk kishte asnjë implikim”, ka shtuar B.S.
Më 21 korrik të vitit 2008, ajo dhe dy vajzat e tjera ishin nisur për në Stamboll dhe aty i kishte pritur një person i quajtur, sipas saj, Moshe. Ai i kishte dërguar në një hotel dhe aty me disa persona të tjerë, sipas saj, u kanë bërë analiza të gjakut dhe të nesërmen kishin fluturuar për në Aeroportin e Prishtinës.
“Në aeroport na kanë mbajtur një kohë pasi që habiteshin se çfarë kërkojnë tri ruse në Prishtinë. Moshe na kishte dhënë ftesa në të cilat shkruante se ne duhet t’i kryenim disa analiza mjekësore në Prishtinë”, ka shtuar B.S.
Kur kishin mbërritur në klinikë, edhe atyre u kishin bërë analiza të gjakut dhe ultrazë dhe po ashtu kishin nënshkruar dokumentin që tregonte se veshka dhurohej me vullnetin e tyre. Pas përfundimit të operacionit ajo kishte ndier dhimbje të mëdha.
D.S. ka treguar se marrësi i veshkës së saj kishte qenë një amerikan rreth të gjashtëdhjetave, i cili shoqërohej nga gruaja e tij, ndërkaq për personat të cilëve u janë transplantuar veshkat e dy vajzave të tjera, ka thënë se nuk e di se kush janë.
Pas tri ditësh ato ishin nisur për në Stamboll, ku më pas të tria kishin marrë drejtimet e veta. Në Stamboll personi i quajtur Moshe u kishte dhënë në zarf paratë, nga 10 mijë dollarë. Prokurori edhe B.S-së ia kishte treguar fotografitë e 12 personave dhe e kishte pyetur nëse e njihte dikë prej tyre. Ajo e kishte thënë se e njihte doktorin turk, Jusuf Somnez, i cili e kishte operuar. Po ashtu edhe personin e quajtur Moshe e ka identifikuar në njërën nga fotografitë që prokurori ia shfaqte përmes kamerës.
Seanca gjyqësore e radhës pritet të vazhdojë të hënën, në të cilën pritet të dëshmojnë edhe tre dëshmitarë të tjerë nga Izraeli.