Mashtrimi me njohje dëmton interesin e shtetit
Prishtinë, 15 qershor- Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Ministria e Jashtme t’i japë fund mashtrimit të qytetarëve duke i hequr Ugandën dhe Nigerinë nga lista e shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Reagimi i saj ka ardhur tri ditë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë, nëpërmjet një deklarimi në “Kohën Ditore”, i ka kontestuar njohjet e pretenduara nga këto dy shtete afrikane.
Osmani ka përkujtuar se muaj më parë personalisht ka kërkuar nga MPJ-ja që të mos i prezantojë këto “njohje’, porse thirrjet e saj ishin shpërfillur nga institucioni përgjegjës.
Ç’është më e keqja, sipas saj, Uganda dhe Nigeria janë paraqitur si shtete njohëse edhe në faqen e Presidencës, që është institucioni më i lartë që udhëheq politikën e jashtme.
“Ndërkohë që edhe presidentja, edhe MPJ-ja e dinin fare mirë se këto njohje nuk kanë ardhur dhe nuk janë konfirmuar”, ka thënë Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës. Ajo i ka cilësuar si absurde arsyetimet që ua kanë bërë autoritetet qeveritare, ‘njohjeve” nga këto dy shtete. “Nëse thuhet se na ka njohur Nigeria vetëm se paska vendosur të hapë qendër tregtare në Kosovë, atëherë na paska njohur edhe Kina, pasi kemi mjaft qendra tregtare kineze në Kosovë”, ka thënë Osmani. Me këso veprimesh, sipas saj, MPJ-ja po dëshmon joseriozitet në politikën e jashtme dhe po e dëmton potencialin që këto shtete të na njohin në të ardhmen. Nga ky mashtrim, siç ka thënë ajo, përfitojnë vetëm dy apo tre persona, për sa kohë që dëmtohen interesat e përgjithshme të shtetit, shkruan më gjerësisht sot .