Çimentoja “merr kokën” e ministres
Guximi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për të vënë taksa të veçanta për importimin e çimentos, mund t’i kushtojë me shkarkim. Kjo pasi deputetet e koalicionit qeverisës kanë kërkuar shkarkimin e saj nga kryeministri, pasi sipas tyre, një vendim i tillë përben monopol të fabrikës së vetme të çimentos “Sharr Cem”
Fatos SHALA
Prishtinë – Dy partitë në pozitë nuk janë përmbajtur të enjten për të kundërshtuar vendimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për të vënë taksë të veçantë për çimenton e importuar, pasi kanë konsideruar se një vendim i tillë krijon monopol për fabrikën e vetme në vend për çimento “Sharr Cem”. Madje, në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e PDK-së dhe ata të AKR-së, kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministres Kusari-Lila.
“Çështja për të cilën desha të bisedoj është çështje për fabrikën e “Sharr Cem”, që është bërë një temë këto ditë.
Mendoj që fillimisht privatizimi i kësaj fabrike është bërë në mënyrë jo të rregullt dhe tani së fundi edhe MTI-ja po mundohet t’i japë favorizime, të cilat mendoj që janë një shkelje e të drejtave të konkurrencës dhe, MTI-ja duhet të aplikojë standarde, të cilat janë të qëndrueshme dhe janë të bazuara”, ka thënë deputeti i PDK-së, Shaip Muja, duke treguar se do befasohej nëse MTI-ja do të jepte vlerësime lidhur me ndotjen që bën kjo kompani.
“Unë do të isha befasuar nëse “Sharr Cem” do të vlerësohet nga MTI-ja për vlerësimin e cilësisë, për ndotjen e ambientit, për kualitetin e shërbimeve dhe produktit, të cilin e nxjerr e jo të nxirret e të favorizohet me një teknologji të vjetërsuar sepse, kur është futur në privatizim ajo e ka ditur, dhe kjo kompani mban monopolin në Ballkan”, ka potencuar Muja. Ai ka thënë po ashtu se sot ndërtimi kontrollohet nga “Titani”përmes çimentos në tërë Ballkanin.
Prandaj sipas tij, bazuar në këtë nuk do të duhej që MTI-ja të përzihet në këtë çështje. “Unë kisha kërkuar që ato vendime të anulohen në drejtim të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë vendime të dëmshme, të cilat janë duke u politizuar dhe të cilat janë duke punuar në interes të përgjithshëm për interesat e caktuara të individëve”, tha deputeti Muja. I ashpër në reagime ishte edhe deputeti nga radhët e AKR-së, subjekt politik nga i cili vjen edhe ministrja Kusari, Emin Gërbeshi. Ai ishte këmbëngulës që ministrja duhet të shkarkohet për gabimin që ka bërë. “Vendimi i fundit i MTI-së për vendosjen e taksës ndaj çimentos së Shqipërisë është vendim tepër i çuditshëm dhe i dëmshëm, i cili do të krijojë barriera të reja tregtare në mes të shqiptarëve.
Duket se kjo është bërë me qëllim jo që të mbrohet prodhimi vendor, sikur që thuhet, por për interesat e caktuara të klaneve dhe të grupeve që dominojnë në ekonomi, duke vepruar kështu ata po e dëmtojnë jo vetëm ekonominë, por edhe kombin tonë. Kjo taksë prodhon efekte shumë negative në disa segmente”, ka thënë deputeti Gërbeshi.
Sipas tij, kjo masë është edhe në kundërshtim me politikat qeveritare për zhvillimin e ekonomik, që është proklamuar disa herë para Kuvendit të Kosovës. Ndryshe, ai tha se kjo masë e MTI-së favorizon kompaninë greke dhe kompanitë tjera prodhues të këtij produkti në serbi dhe në Maqedoni dhe e nxit shtetin shqiptar që të aplikojë masa të ngjashme ndaj prodhimeve të tjera të Kosovës. Gërbeshi tha se prodhimet e Shqipërisë duhet të trajtohen njësoj si të jenë prodhime vendore të Kosovës dhe ashtu të veprohet edhe nga pala tjetër.
“Nëse nuk ndodh kjo, unë atëherë si deputet do të kërkoj dorëheqjen e ministres Mimoza Kusari-Lila dhe do të mundohem që të paraqes në parlament një mocion, përmes të cilit do të kërkoj që prodhimet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë të njihen si prodhime vendore, duke hequr të gjitha barrierat doganore dhe barrierat tjera në taksa për këto prodhime”, ka thënë Gërbeshi.
Ai ka shtuar se mbetja në fuqi e vendimeve të tilla i trembin investitorët dhe rrezikojnë skajshëm stabilitetin ekonomik të vendit, dhe se sipas tij, suksesi i një qeverie nuk matet nga përmasat makroekonomike apo nga ekonomia që ka një vend, por vetëm nga qeverisja e mirë e një vendi.