TË KËNAQUR ME SHITJEN E DREDHËZAVE
Kultivuesit e dredhëzës që po marrin pjesë në panairin “Dredhëza 2012”, i cili po mbahet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, janë shprehur të kënaqur me shitjen e prodhimeve të tyre. Ata kanë porositur qytetarët që të konsumojnë prodhime vendore, pasi që sipas tyre, prodhimet e importuara nga jashtë nuk janë të sigurta. E në anën tjetër, edhe qytetarët kanë kërkuar që në tregun e Kosovës të ketë më shumë prodhime vendore.
Njëri ndër 15 kultivuesit e dredhëzës që po marrin pjesë në panairin e dredhëzës, Blerim Shefkiu, nga Gjilani, është shprehur i kënaqur me interesimin e qytetarëve për konsumimin e dredhëzës vendore.
Ai ka porositur qytetarët që sa më shumë të konsumojnë produkte vendore, pasi që mendon se janë cilësore dhe të mbrojtura.
“Interesimi është mjaft i madh, por edhe kualiteti është mjaft i mirë. Sivjet kemi dalë shumë më të përgatitur se vitet e kaluara, si në paketim ashtu edhe në përgatitjen e logove të frutave të Kosovës, ku te qytetarët ka shprehur një kureshtje mjaft të madhe. Duhet të konsumojnë prodhime vendore sepse janë më cilësore, pasi që ne si shoqatë qe katër vjet aplikojmë mbrojtjen e integruar, është shumë më e sigurt se ajo që vjen nga Maqedonia”, ka thënë ai.
Panairi “Dredhëza 2012” përveç që ka shërbyer për promovimin e prodhimeve vendore, ai ka qenë edhe fitimprurës për kultivuesit e dredhëzës.
Flamur Syla, kultivues i dredhëzës nga fshati Tërrnoc i komunës së Skenderajt, tregon për Kosovapress se vetëm gjatë dy ditëve të kaluara në këtë panair ka shitur rreth një mijë kg dredhëza.
“Interesimi i qytetarëve është i madh. Qe dy ditë ne i kemi shit rreth 1000 kg dredhëz këtu në shesh. Çmimi i dredhëzës është dy euro për një kg. Dredhëza vendore është e freskët dhe ne porosisim konsumatorët që të konsumojnë sa më shumë dredhëza vendore”, ka thënë ai.
Interesimi i qytetarëve për prodhime vendore është mjaft i madh, mirëpo ata kërkojnë më shumë cilësi dhe siguri të produkteve.
Gani Idrizi, i cili kishte ardhur nga qyteti i Vitisë, ka thënë se prodhimet vendore janë më të sigurta se ato që importohen nga shtetet e tjera. Sipas tij, qytetarët duhet të binden se prodhimet vendore janë më të mira dhe më të lira, por kërkesa e tij është që mos të importohet asnjë produkt që mund të prodhohet në Kosovë.
“Çdo prodhim që është vendor, është më i mirë se ai prodhimi që importohet. 100 për qind janë më të sigurta se dredhëzat që importohen, janë më të shëndosha dhe me çmim më të ulët. Dhe kish qenë mirë që asgjë të mos importohet, por gjithçka të prodhohet, do të ishim në një pozitë më të mirë. Qytetari duhet ta krijojë bindjen se çdo prodhim vendor është më i mirë, më i shëndosh, më i sigurt. Edhe nëse është me çmim më të lartë, më mirë është të blejmë dredhëza të freskëta se ato që qëndrojnë nga një javë nëpër depo”, ka thënë ai.
Panairi “Dredhëza 2012” është organizuar nga MBPZHR-ja, USAID-i amerikan dhe IADK-ja dhe qëllimi i tij ka qenë promovimi i dredhëzës vendore përmes shitjes së drejtpërdrejtë në sheshin “Nënë Tereza”. Panairi do të jetë i hapur deri të premten.