Shtimi i njohjeve me “presion” të Pacollit
Prishtinë, 14 qershor- Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës e kanë pranuar se Kosova nuk është njohur nga 91 shtete, por nga 89, ashtu siç ka deklaruar një ditë më herët Ambasada amerikane në Prishtinë. Ministria e Punëve të Jashtme, sipas këtyre zyrtarëve, edhe pse ka qenë në dijeni se Nigeria dhe Uganda nuk e kanë njohur Kosovën, ka qenë e shtyrë ta rrisë numrin e njohjeve në 91 me “presion” të zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli. Njeriu kryesor në Qeveri që është i ngarkuar me çështjen e lobimit, siç kanë thënë burimet në ekzekutiv, ka kërcënuar edhe me dorëheqje nëse dy shtetet afrikane do të mbeteshin jashtë listës së shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pacolli, sipas tyre, e ka bërë këtë presion duke dashur t’u kundërvihet edhe medieve që kanë kërkuar dëshmi të njohjeve. “Kur mediet nisën ta sfidojnë zëvendëskryeministrin Pacolli rreth ‘njohjeve’ nga Uganda dhe Nigeria, duke i thënë se as Ministria e Jashtme s’po beson për këtë, ai (Pacolli v.j.) nisi ta rrisë presionin mbi MPJ-në që t’i prezantojë këto dy shtete në listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën. Në takime joformale, Pacolli ka kërcënuar edhe me largim nga Qeveria nëse nuk prezantohen këto dy ‘njohje’”, ka thënë një zyrtar i lartë i afërt që është në rrjedha të lobimit për njohje. Gazeta nuk ka mundur të kontaktojë me dikë në MPJ, për të marrë versionin zyrtar për këtë çështje, ashtu sikur nuk ka mundur të marrë detaje të këtyre zhvillimeve as nga kabineti i Pacollit.