Kalo te lënda

Prokuroria dënon Rezartën me 82 orë punë të detyruar për rrahjen e Rozanës

Prokuroria jep pretencën për sherrin me grushte me Rozana Radin.

Inati i shfryrë me dhunë mbi këngë-taren Rozana Radi mbrëmjen e 5 dhjetorit 2010 mund t’i kushtojë këngëtares Rezarta Shkurta 82 orë punë në shërbim të komunitetit. Prokurori Ervin Karanxha, përfaqësuesi i Prokurorisë së Tiranës në dosjen penale ku e pandehur është këngëtarja Shkurta, kërkoi dje deklarimin e fajshëm të saj për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.  Sipas Prokurorisë, rezulton e provuar se Shkurta ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Në pretencën e saj, Prokuroria kërkon dënimin e Shkurtës me 82 orë pune në shërbim të publikut. Bëhet e ditur se kjo masë dënimi është e barasvlershme me një dënim prej 2 muajsh burg. Këngëtarja Shkurta nuk ka qenë e pranishme në seancë, por ajo përfaqësohej nga avokati i saj mbrojtës. Pasi ka administruar në dosje kërkesën e Prokurorisë, gjykata ka vendosur ndërprerjen e seancës për t’i dhënë kohë avokatit të paraqesë konkluzionet e mbrojtjes. Seanca e djeshme ishte e 22-ta në radhën e seancave të këtij procesi gjyqësor. Në seancat e mëhershme, gjykata ka dëgjuar dëshmitë e dy “protagonisteve” të sherrit, si edhe personave të tjerë të pranishëm, mes të cilëve edhe bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, Ermal Hoxha. SHERRI Përleshja fizike mes dy këngëtarëve është shënuar pak orë pas mesnatës së 5 dhjetorit 2010, pranë digës së Liqenit Artificial. “Më datë 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës”, pohonte Prokuroria. Po sipas saj, duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim. Sipas deklarimeve prej tyre pas ngjarjes, fillesa e sherrit ka nisur në një program televiziv në Kosovë të quajtur “VIP shtëpia”, ku ato janë konfliktuar. Kohë më vonë, situata është komentuar në një program tjetër televiziv nga ana e Rozana Radit. Sipas Radit, fill pas kësaj, në adresën e saj në Facebook kanë mbërritur fyerje pa fund nga ana e Shkurtës. Në vazhdën e debatit në facebook, që sipas Radit është shoqëruar me fyerje të rënda nga ana e Shkurtës, ato kanë lënë një vend për t’u takuar, pranë digës së Liqenit Artificial.

Pas pretencës së Prokurorisë, Shkurta këmbëngul se s’e ka dhunuar kolegen Rezarta Shkurta: Gjykata do të më japë pafajësinë

Rezarta Shkurta me bashkeshortin Ermal Hoxha

“Më datë 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi, duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës. Duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim”. Kjo është një pjesë e shkëputur nga kërkesa për gjykim e Prokurorisë së Tiranës, ku Rezarta Shkurta akuzohet se ka kryer veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj koleges Rozana Radi. Por, vetë Rezarta këmbëngul në pafajësinë e saj. Për gazetën “Panorama”, ajo thotë se për gjithë këtë histori do të shprehet kur Gjykata e Tiranës të japë vendimin përfundimtar, por paraprakisht thekson se nuk e ka dhunuar Rozana Radin. Prokuroria ka dhënë pretencën në Gjykatë për dënimin tuaj me 82 orë punë në komunitet, pasi akuzoheni se keni “plagosur lehtë me dashje” kolegen tuaj Razana Radi, më datë 5 dhjetor 2010. E pranoni dënimin? Sigurisht që nuk e pranoj. Kjo është pretenca e dhënë nga Prokuroria, por vendimi merret nga Gjykata. Pretenca e Prokurorisë nuk është e vërteta, por është pretendimi i saj, është kërkesa paraprake. Duhet që Gjykata të shqyrtojë provat dhe vlefshmërinë e tyre për të dhënë vendimin përfundimtar. Dhe deri në atë vendim, unë besoj se pretenca do të ndryshojë. Pra, ju e pretendoni veten të pafajshme? Unë nuk e pretendoj veten si të pafajshme, por jam e pafajshme. Nuk kam se si të marr përsipër një vepër që nuk e kam kryer dhe e vërteta është shtrembëruar. Atëherë si është e vërteta e gjithë kësaj historie? Unë kam angazhuar një avokat lidhur me çështjen dhe kam vendosur që të mos shprehem, derisa Gjykata e Tiranës të japë vendimin përfundimtar. Këtë e bëj në respekt të organeve të drejtësisë, pasi janë ato që do të thonë fjalën e fundit. Po në rast se Gjykata do të mbështesë pretencën e Prokurorisë dhe ju të dënoheni me shërbim në komunitet, do ta pranoni? Nuk kam si të pranoj diçka që ende nuk ekziston. Siç ju thashë, unë do të prononcohem pasi Gjykata të japë vendimin përfundimtar. Besoj në pafajësinë time.

Rozana: Do fshij rrugët bashkë me Rezin

Rozana Radi kundër Prokurorisë për të dënuar Rezarta Shkurtën me 82 orë punë në komunitet

Rozana Radi

“Dua që Rezi të shpallet fajtore, por jo të dënohet apo gjobitet” Rozana Radi kundërshton pretencën e Prokurorisë për të dënuar Rezarta Shkurtën me 82 orë punë në shërbim të komunitetit, për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”. Pavarësisht se sipas organit të akuzës Rozana është palë e dëmtuar nga dhuna verbale prej Rezartës më 5 dhjetor 2010 pranë Liqenit Artificial, ajo ndihet e kënaqur vetëm me zbardhjen e së vërtetës. “Unë nuk doja dhe nuk dua që Rezarta të dënohet, pavarësisht se çfarë më bëri. Doja vetëm që të vërtetohet se kush ishte fajtorja nga ne të dyja. Fitorja ime është morale në këtë mes dhe aspak materiale apo keqdashësi”, thotë Rozana, teksa flet për gazetën “Panorama”. Prokuroria ka dhënë pretencën për dënimin e Rezartës me 82 orë punë në komunitet. A jeni e kënaqur? Jo. Nuk jam aspak e kënaqur. Unë nuk doja dhe nuk dua që Rezarta të dënohet, pavarësisht se çfarë më bëri. Pse? Sepse ashtu e kam natyrën, jam shumë e ndjeshme. Nuk dua të shoh kurrë keq asnjeri. Nuk dëshironi që, atë që ju rrahu, ta shihni pas hekurave? Larg qoftë! Por ju vetë e çuat çështjen në Prokurori… Unë nuk doja që të bëhej e madhe, por ajo e bëri. Unë doja vetëm që Rezarta të kuptonte gabimin dhe të më kërkonte falje. Por ajo, jo vetëm që nuk u pendua, por edhe filloi të më akuzonte mua sikur isha unë që e kisha gjuajtur dhe qëlluar. Unë, e vetme, duke i rrahur ata burrë e grua. Ndaj u detyrova që çështjen ta lë në duart e drejtësisë. Edhe drejtësia e dha versionin e saj… Unë tashmë nuk mund të ndërhyj në këtë proces, por qëllimi im që nga fillimi ka qenë vetëm sa të dalë e vërteta nga drejtësia. Pra, vetëm që të vërtetohet se cila ishte fajtorja nga ne të dyja. Për dënime dhe gjoba mua nuk më intereson aspak. Fitorja ime është morale në këtë mes dhe aspak materiale apo keqdashësi. Po nëse gjykata miraton pretencën e Prokurorisë, pra të dënojë me punë në komunitet? Do të më vinte vërtet shumë keq. Dhe si do të vepronit nëse gjatë këtij shërbimi në komunitet, p.sh. Rezarta të fshinte rrugët dhe ju të kalonit pranë saj? Nuk do të duroja dot. Pavarësisht se çfarë më bëri, unë do t’ia rrëmbeja fshesën nga dora dhe do ta hidhja. Nuk mundesh ta hedhësh, është dënim që duhet shlyer… Atëherë do të fshij edhe unë bashkë me atë, derisa të shlyejë dënimin. Mos vallë ju të dyja jeni bërë mikesha tashmë? Jo, jo, nuk ka lidhje aspak. Thjesht nuk dëshiroj për askënd që ta shoh në momente të vështira dhe sikleti. Kushdo qoftë ai apo ajo dhe çfarëdo që të më ketë bërë. Unë mendoj se nuk ka njerëz të këqij, por situata të këqija. Kohë të këqija. Prirem që të shoh nga optimizmi. Megjithatë, që nga momenti i sherrit dhe deri më sot, a keni tentuar që të flisni? Ajo ka tentuar në fillim, por kanë qenë tentativa që vetëm sa e thelluan edhe më shumë sherrin, pasi ajo vijonte të gënjente sikur e kisha unë fajin. Ju ka kërkuar falje, qoftë personalisht, qoftë me anë të dikujt tjetër? Jo. Po të kishte kërkuar falje me kohë, atëherë çështja nuk do të kishte marrë këto përmasa që mori. Shpresoj që gjykata thjesht ta shpallë fajtore, por të mos i japë asnjë lloj dënimi. Nuk jam shumë në dijeni se si funksionojnë organet e drejtësisë dhe, nëse është kjo lloj mundësie që të mos dënohet, por vërtet do të doja që kjo çështje të merrte fund me kaq. Gjyqi është vendosur më datë 21 qershor. A do të merrni pjesë? Që nga momenti kur ka nisur çështja, unë kam dhënë deponimet e mia në Prokurori, si dhe kam shkuar në disa seanca gjyqësore për të dëshmuar. Besoj se do të jem e pranishme edhe në seancën e 21 qershorit, vetëm shpresoj që të jem në Tiranë dhe të mos kem ndonjë angazhim madhor. Keni marrë avokat? Nuk kam marrë avokat, pasi nuk e kam parë të nevojshme. Pse nuk e keni parë të nevojshme? Unë kam dëshmitarë që mbështesin të vërtetën, raportin mjekoligjor, si dhe çdo dokumentacion tjetër që tregon se si Rezarta dhe bashkëshorti i saj më dhunuan. Duke parë angazhimin e Prokurorisë, m’u duk tepër që të marr avokat. Me refuzimin për një avokat doja të tregoja se unë nuk kam nevojë që të paguaj njerëz për të krijuar të vërtetën, pasi e vërteta është një. Duam apo nuk duam ne, e vërteta del natyrshëm një ditë, siç edhe po vjen tashmë momenti. Pavarësisht pretencës së Prokurorisë, Gjykata mund ta shpallë edhe të pafajshme Rezartën… Pavarësisht se ç’thuhet për gjykatat, unë besoj në drejtësi. Jam e bindur që Gjykata do të marrë në konsideratë provat e Prokurorisë dhe ta shpallë fajtore. Vetëm kaq dua, jo dënime apo pasoja të tjera. Gjatë gjithë kësaj kohe kam kërkuar vetëm që të dalë e vërteta në shesh, pasi unë kam një mbiemër familje për të ruajtur dhe nderuar. Dhe nuk është pak mbiemri im… Mbase ajo nuk ka se çfarë të humbasë. Si do të veproni në rast se ajo shpallet e pafajshme? Do ta apeloj vendimin. Dua që t’i shkoj të vërtetës deri në fund.