Kalo te lënda

“Ku është Serbia, s’mund të marrë pjesë Kosova”

Ministri i Jashtëm në largim i Serbisë, Vuk Jeremic, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë e pranishme në takimet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), sepse ky forum është i rezervuar për shtetet e pavarura.

“Dua të jem i qartë, se kudo ku është e pranishme Republika e Serbisë, nuk mund të ketë përfaqësues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jeremic, duke iu drejtuar 12 shteteve anëtare të SEECP, në mesin e të cilave është edhe Bosnja dhe Hercegovina.

Ai ka thënë se Këshilli për bashkëpunim rajonal është forum i përshtatshëm ku mund të dëgjohet zëri i shqiptarëve etnik të Kosovës, sepse kjo sipas tij është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

“Marrëveshjet që janë neutrale ndaj statusit, që janë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, nuk kanë lidhje me forumet multilaterale si SEECP, që janë të rezervuara për shtetet sovrane”, shtoi Jeremic. “As në Këshillin e Evropës, as në OSBE dhe në asnjë institucion ose agjenci që është në kuadër të sistemit të OKB-së”. /Telegrafi/