Jahjaga dhe Kuvendi mirëpresin Udhërrëfyesin
Presidentja Atifete Jahjaga përshëndeti vendimin që Kosovës t’i jepet udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, duke e vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe të vendeve anëtare që e kanë mbështetur këtë proces.Presidentja Jahjaga ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se vendimi i BE-së përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane.
* * *
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, Deputeti Arben Gashi, në emër të LDK-së, përgëzoi Qeverinë për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por shprehi dyshimet nëse Qeveria do të mund të plotësojë kriteret e kushtëzuara në udhërrëfyes, për shkak se, siç u shprehë ai, Qeveria është e përfshirë në të gjitha dukurit negative që janë kusht të luftohen, si krimi i organizuar, kontrabanda, korrupsioni etj. Por reagoi deputeti i PDK-së, Shaip Muja, në mbrojtje të Qeverisë. Deputeti Muja tha se deklarimet e LDK-së janë thjesht për t’u proklamuar dhe për të përhapur dezinformata në opinionin publik, derisa Qeveria, sipas tij, çdo ditë bënë hapa përpara në proceset integruese.