Kalo te lënda

Haxhinasto në Vjenë, i ftuar në Këshillin e OSBE

Numri dy i qeverisë, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto merr pjesë sot në Sesionin e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё, që mbahet në Vjenë. Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të mbajë një fjalë për delegacionet pjesëmarrëse të Kёshillit tё Pёrhershёm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së.

Mësohet se ai do të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së, si dhe të ndihmës që këto dy organizata mund të ofrojnë për fqinjët dhe partnerët në rajonin e Mesdheut, në drejtim të përballimit me sfidat aktuale dhe afatgjata të tranzicionit të tyre demokratik.

Gjatë qëndrimit në Vjenë,  Haxhinasto do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier. Më tej, ai do të zhvillojë një takim të veçantë me Zv.Kancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, me të cilin do të trajtojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe.