Kalo te lënda

Droga e Lazaratit, rreth 100 persona të shoqëruar

GJIROKASTER- Policia e Gjirokastrës ndërhy për të eleminuar që në themel kultivimin e lëndëve narkotike në Lazarat.

Falë një aksioni të befasishëm që është organizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat e policisë, kanë shoqëruar për në komisariat, rreth 100 persona nga qyteti i Gjirokastrës, të cilët janë punonjës në terren të mbjelljeve të sasive narkotike në fshatin Lazarat. Personat janë ndaluar të rrugëtonin në Lazarat përmes furgonëve të linjës Gjirokastër-Lazarat pa dhënë më parë shpjegime arsyet që i çojnë ata të shkojnë në fshatin rebel.

Në bazë të deklarimeve të tyre të sotme në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, punëkërkuesit, kundrejt 2 mijë lekëve në ditë, hapnin gropa të cekëta për kultivimin e bimëve narkotike në disa territore të punuara dhe pluguara në afërsi të banesave të lazaratasve. Sipas burimeve policore të cilave u referohet gazeta “Panorama”, të 100 personave kryesisht gra, u është marrë deklaratë me shkrim se çfarë punë kryejnë në Lazarat dhe cilët janë punëdhënësit e tyre duke u vënë në dijeni se në rast shkelje të ligjit, do të penalizohen.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentian Mullai, edhe gjatë ditëve në vijim, do të intensifikohen ndjeshëm masat në drejtim të parandalimit të kultivmit dhe trafikimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat.