Arrestohen katër të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore
Polica e Kosovës njoftoi të enjten se në rajonin e Prishtinës ka arrestuar katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore dhe mundësim prostitucioni. Persona e arrestuar: S. P (1972 femër), M.Q (1966 mashkull), F.A (1963 mashkull) si dhe U.P(1981 mashkull), shtetas të Kosovës.
“Në vazhdimësi të hetimeve të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe mundësim në prostitucionit, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, pas hetimeve paraprake ka realizuar një operacion policor të koduar “Rrethi” në rajonin e Prishtinës me ç’rast ka arrestuar katër persona me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Trafikim në njerëz’”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se nga hetimet e zhvilluara merret vesh se të dyshuarit tanimë të arrestuar, janë marrë në vazhdimësi me veprimtari të tilla kundërligjore si mundësim prostitucioni dhe aranzhim të shërbimeve seksuale për persona të ndryshëm.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit kanë shantazhuar viktimën e mitur të identifikuar nga policia në këtë rast, e cila është intervistuar në prani të mbrojtësit të viktimave dhe zyrtarëve të Qendrës për punë sociale. /Telegrafi/