Rexhepi: Veriun e kemi nën kontroll
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se veriu i Kosovës, është nënkontroll të organeve të rendit.
“Gjendja e përgjithshme e sigurisë është nën kontroll të organeve të rendit edhe përkundër incidenteve të dhunshme që ka patur” ka thënë Rexhepi.
Ai po ashtu ka lavdëruar punën e KFOR-it, duke thënë se kohët e fundit shihet një përkushtim më i madh i KFOR-it që të përmbushë mandatin në lirinë e lëvizjes.
“Ka larguar disa barrikada që kanë qenë teknikisht më të vështira. Ka qenë një sulm i papranueshëm i grupeve kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it, plagosja e dy ushtarëve të tyre me armë zjarri. Sulmuesit janë të identifikuar se kush e ka bërë një gjë të tillë, sepse janë incizuar nga KFOR-i. Ushtarët e KFOR-it janë përgjigjur me plumba gome, ndërsa një serb i plagosur besohet se është plagosur nga armët e zjarrit e serbëve dhe jo nga KFOR-i” ka thënë ai.
Më tej, ministri Rexhepi ka thënë se shihet një vendosmëri më e madhe nga ana e KFOR-it dhe sipas tij, situata është qetësuar pas atyre incidenteve të dhunshme./Indeksonline/