Kalo te lënda

Kërkonte punë si shofer, u bë kryeministër

Andrey Larionov, ish këshilltari i presidentit Vladimir Putin, tashmë një kritik i politikës aktuale ruse, thotë se Putini më 1990 ka ofruar shërbime falas – si shofer.

Në blogun personal, Larionov e dha versionin e tij të ngritjes së shpejtë të Putinit drejtë kreut të shtetit.

Duke u thirrur në dëshminë e të ndjerës Galina Starovoytova, deputetes që u vra më 1998, ai shkruan se Putini ka kërkuar nga Starovoytova që të punojë për të falas si shofer.

“Më është afruar një djalë i ri, me fizionomi që nuk harrohet, dhe më tha: E dashura Galina, më pëlqen shumë ajo çfarë flisni e bëni. Do të doja disi t’ju ndihmoj, por nuk kam mjete. Ama, e kam një veturë. Do të mund të punoja si shofer i juaji, madje falas”, ka shkruar Larionov.

Starovoytova e ka refuzuar ofertën dhe ka hip në metro të Shën Petersburgut, derisa Putini, sipas Larionovit, më vonë i është afruar kryetarit të ndjerë të këtij qyteti, Anatolij Sobchak, duke ia thënë të njëjtin tekst dhe duke e informuar se ka punuar edhe për KGB.

Sobchakut, i cili atëherë ishte deputet në Kuvendin e Leningradit, i ka pëlqyer ajo çfarë i ka thënë “djaloshi me fizionomi që nuk harrohet”, ndaj e ka pranuar ofertën e Putinit për të punuar ai për të. Por, jo si shofer, po si ndihmës i rektorit të Universitetit shtetëror të Leningradit.

Që nga viti 1993, Putini ka kryer punë në administratën e kryebashkiakut Sobchak, e në vitin 1995 mori pjesë në fushatën e tij zgjedhore. Dy vjet më vonë u transferua në Moskë, ku u emërua zëvendës i administratës presidenciale të Boris Jelcinit.

Një vit më vonë, Putini u emërua zëvendës i parë i administrate presidenciale, e më vonë shef i Shërbimit të Sigurimit Federal. Më 1999 u bë kryeministër shteti.

Sobchaku vdiq nga një sulm në zemër më 2000, e meqë Galina ka 14 vite që ka vdekur, disa thonë se nuk mund të vërtetohen pohimet e Larionovit për fillimin e karrierës politike të Putinit.

Larionov është ekonomist me profesion dhe i përkiste të ashtuquajturës Rusia Tjetër, lëvizjes politike opozitare që u shpërnda dy vjet më parë. Është i martuar me një amerikane, e cila në Moskë ka punuar si përfaqësuese e një banke investuese të SHBA-ve. Me të ka një djalë dhe një vajzë. /Telegrafi/