VV e AAK, jashtë “pazarit’ për Jahjagën
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përkrah vetëm bazën ligjore, e jo edhe kalkulimet dhe pazaret që bëjnë partitë e tjera. Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ashtu siç e kanë kundërshtuar zgjedhjen e Jahjagës në bazë të marrëveshjes trepalëshe, janë edhe kundër përfundimit të mandatit në të njëjtën mënyrë. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese javën e ardhshme pritet të interpretojë nëse shkurtimi i mandatit të Jahjagës – pas ndryshimeve kushtetuese – është në kundërshtim me dokumentin më të lartë juridik të shtetit.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se ka qenë antiligjore marrëveshja PDK-LDK-AKR për emërimin e Jahgajës në postin e presidentes, prandaj partia e tij nuk dëshiron të implikohet në këtë çështje.
“Ne mendojmë që marrëveshja ka qenë antiligjore, sepse është bërë në mes të tre liderëve të cilët arbitrarisht kanë marrë vendimin. Ndërsa, sa i përket reagimit të presidentes, ajo e di marrëveshjen që e kanë bërë përfaqësuesit politikë. Ne nuk duam të implikohemi në këtë çështje, pasi është çështje e pazareve politike”, ka thënë ai për “Tribuna Shqiptare”.
Nga ana tjetër, pjesë e kësaj marrëveshje nuk ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kjo lëvizje që në fillim kishte kundërshtuar zgjedhjen e presidentes Jahjaga në këtë mënyrë, duke potencuar se ishte joinstitucionale.
“Ne mendojmë se zgjedhja dhe mandati i presidentit nuk mund të jetë objekt i marrëveshjeve kundërkushtetuese. Andaj, ashtu siç e kemi kundërshtuar zgjedhjen e saj në atë mënyrë në radhë të parë, jemi edhe kundër përfundimit të mandatit në të njëjtën mënyrë. Ne nuk pranojmë amendamentime që janë kundër Kushtetutës”, ka thënë drejtuesi i sekretariatit për media, Erzen Vraniqi. /Telegrafi/