UNMIK-u pajtohet me shuarjen e UAM-it
Prishtinë, 12 qershor – Misioni i mbetur i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, është pajtuar me shuarjen e administratës së vet në veri të Mitrovicës. Administrata e vendosur nga UNMIK-u që e ka administruar veriun e Mitrovicës që nga viti 2002, pritet që të mbyllet. Procesi nuk do të përfundojë brenda pak javësh ashtu siç pati kërkuar Qeveria e Kosovës po do të marrë tre muaj. Qeveria kosovare ka ndalur buxhetin me anë të të cilit është financuar Zyra e OKB-së në veri të Mitrovicës, e UNMIK-u sipas planit nuk do të ketë buxhet të mbajtjes së kësaj administrate më shumë se edhe pesë muaj.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se misioni i OKB-së ka filluar që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës dhe me ICO-në për shuarjen e UAM-it dhe transferimit të të dhënave të kësaj administrate te Zyra e krijuar nga Qeveria e Kosovës, që nga momenti i takimeve të para mes tri palëve.
Madje UNMIK-u që nga maji ka vendosur që të ndërrojë udhëheqësin e UAM-it. Misioni ka qenë në krye të kritikave për shkak se të gjitha prezencat në veri, përfshirë atë në veri të Mitrovicës, për vite të tëra janë udhëhequr nga disa zyrtarë rusë.