Rastin e vjedhjes në polici e shkatërroi policia
Burime brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se rasti i vjedhjes në dhomën e dëshmive në Prishtinë nuk mund të zbulohet kurrë, pasi policia asnjëherë nuk ka marrë të dhënat e duhura nga vendi i ngjarjes.
Rastit të vjedhjes në dhomën e dëshmive në Prishtinë i mungojnë elementet kryesore të gjetjes së autorëve, shenjat e gishtërinjve, fotografitë fillestare dhe detaje të tjera.
Burime brenda këtij institucioni thonë se nga Policia e Kosovës nuk është bërë “skena e krimit”, siç i thonë vendit ku ka ndodhur një thyerje e ligjit, qoftë ajo vjedhje apo vrasje.
Prandaj, rastit që ka ndodhur në vitin 2009 në ndërtesën e sigurisë së lartë, Drejtorinë e Krimeve të Rënda, sipas të gjitha gjasave nuk do t’i dihen kurrë saktësisht autorët, pasi në dosje mungojnë elementet kryesore që rregullisht merren në momentin e parë kur ndodh rasti.
“Rasti i është dorëzuar EULEX-it disa muaj më vonë, pasi ka ndodhur vjedhja e 50 kilogramëve drogë të llojit heroinë dhe qindra mijëra euro në valuta të ndryshme. Në fakt EULEX-it nuk i është dhënë pothuajse asgjë, pasi ‘skena e krimit’ nuk ishte bërë… Më vonë kur EULEX-it i është dorëzuar njëfarë dosje, pothuajse gjithçka më shumë ka qenë përpjekje për të kamufluar atë çfarë ka ndodhur”, ka thënë një burim brenda Policisë së Kosovës, në kushte anonimiteti, shkruan “Zëri”.
Ndërkohë që tre përgjegjësit kryesorë për dhomën e dëshmive vazhdojnë të mbajnë poste udhëheqëse brenda Policisë së Kosovës.
Përgjegjësia e nënkolonel Fatos Hazirit dhe majorëve Haxhi Krasniqi dhe Senad Kelmendi asnjëherë nuk është hedhur poshtë nga Policia e Kosovës, por as nuk kanë thënë asnjë fjalë për ta. I pari ka qenë drejtor i Drejtorisë për Krime të Rënda, i dyti ka qenë zëvendës i tij, kurse Kelmendi ka qene përgjegjës për kamera, të cilat ditën e vjedhjes nuk kanë funksionuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, mohon se nuk është bërë asgjë lidhur me këtë rast.
“Procesi është bërë sikur për çdo rast tjetër, me përfshirjen e të gjitha njësiteve policore, duke përfshirë hetuesinë dhe forenzikën…. Pra ato janë bërë siç e ka kërkuar natyra e rastit. Aty janë marrë të gjitha gjurmët që gjenden në një vendngjarje”, tha ai.
Sipas Policisë së Kosovës, të përgjegjësitë lidhur me këtë rast tani janë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më saktësisht të hetuesve të EULEX-it, pasi ata i kanë të gjitha dëshmitë e mbledhura. /Telegrafi/