Kalo te lënda

NATO dënon dhunën në veri

Komiteti Ushtarak i NATO-s ka dënuar edhe njëherë dhunën ndaj ushtarëve të forcave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe ka ftuar palët të nisin dialogun.
Gjatë vizitës që i bëri Kosovës, ky Komitet ka vizituar forcat ushtarake të KFOR-it si dhe ka takuar ministrin e Forcës së Sigurisë Agim Çeku dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Gjenerali Knud Bartels, udhëheqës i Komitetit Ushtarak, ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për punën e madhe që po bëjnë në Kosovë, tash e 13 vjet, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Ndërkaq, ka dënuar ashpër dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it nga pjesëtarët e komunitetit serb në veri të vendit.

Më 1 qershor, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë qenë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në fshatin Rudarë afër Zveçanit.

Me këtë rast, Komiteti Ushtarak i NATO-s ka bërë thirrje të gjitha palëve të nisin dialogun dhe të shmangin përdorimin e armëve dhe dhunës.

“Armët e zjarrit asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë dialogun konstruktiv pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë gjendja”, ka thënë Bartels, transmeton REL.

Ai theksoi se KFOR-i do të vazhdoj të sillet mbi mandatin që ka me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, duke qenë i kujdesshëm dhe i paanshëm dhe duke siguruar lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit për të gjithë. Gjenerali Bartels tha se NATO e çmon rëndësinë që ka dialogu që po vazhdon e që sponzorohet nga BE-ja.

Një nga qëllimet e vizitës së Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kosovë u tha se ishte që nga afër të njoftohet me punën e KFOR-it dhe më pas ta njoftoj Këshillin Veriatlantik të NATO-s me të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

“Aleanca Veriatlantike nuk do të lejojë përshkallëzimin e gjendjes së sigurisë në këtë pjesë”, janë shpreh zyrtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s. /Telegrafi/