Kalo te lënda

Hapat e Nikolliqit “përcillen së afërmi” nga BE

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin duke raportuar për situatën në Serbi pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, ka thënë se presidenti i ri Tomisllav Nikolliq do të përcillet nëse do të përmbushë premtimet për ndjekjen e rrugës evropiane.

“Duke marrë parasysh të kaluarën e tij nacionaliste, liderët rajonalë dhe Bashkimi Evropian do të shikojnë me kujdes hapat e tij të parë si president i Serbisë. Vizita e Nikolliqit më 14 qershor në Bruksel, për këtë arsye, ka një domethënie të veçantë”, ka thënë Kacin.

Nikolliqi është inauguruar dje në postin e presidentit, në një ceremoni të bojkotuar nga liderët e rajonit.

Nikolliq ka zemëruar fqinjët me deklaratën se në Srebrenicë “nuk është kryer gjenocid” dhe se Vukovari i Kroacisë është një “qytet serb”./rel/