Kalo te lënda

Sporti ofron mundësi shumëdimensionale

Sporti si pjesë e një shoqërie, është pasqyrë dhe dëshmi më e mirë e përkujdesit ndaj njeriut, të cilin, në sport e karakterizojnë fryma e shëndoshë, shëndeti i mirë, toleranca dhe synimi për të arritur në piedestalin e kësaj sfere të rëndësishme shoqërore. Ndaj, është e rëndësishme që këto vlera të kultivohen dhe të afirmohen si një tërësi e suksesit, garës së mirëfilltë, disiplinës dhe tolerancës e mirëkuptimit.

Shkruan: Luan Krasniqi

Në këtë vazhdë, e vlerësoj edhe takimin e sotëm i cili duhet të nxitë për qasje më të organizuar në sportin kosovar. Dhe, në këtë, konsideroj se kontribut të patjetërsueshëm mund të japin sportistët e shquar, të cilët si shembull i mirë për të rinjtë, transmetojnë vlerat më fisnike që e karakterizojnë sportin.

Dhe jo vetëm kaq, sportistët shqiptarë, që në vende të ndryshme të botës, janë të dalluar me arritjet sportive, njëkohësisht janë ambasadorë të denjë të trevave nga migruan dhe reflektojnë imazhin e denjë të shqiptarisë me të gjitha specifikat që e karakterizojnë popullin tonë: fisnikëria, krenaria, bujaria, toleranca, dëshira për të ngadhënjyer.

Me këto vlera, ne sportistët, jemi identifikuar me popullin që i përkasim dhe me mburrje i mbajmë kahdo e kudo që shkojmë. Natyrisht që shpesh dhe gjithnjë, në takime me kolegë sportistë, me autoritetet e shteteve ku ndodhemi, dikur e bisedonim edhe nevojën e mbështetjes së Kosovës për liri e pavarësi, e bisedojmë sot edhe çështjen e sportit të Kosovës dhe angazhohemi për krijimin e mundësisë që sa më parë, edhe sportistët kosovarë, të jenë aty ku e kanë vendin – në të gjitha nivelet e garave evropiane e botërore.

Vend për një qasje më të organizuar dhe institucionale e të përbashkët, gjithsesi se ka dhe angazhohem që institucionet përgjegjëse për këtë, ta shfrytëzojnë më shumë potencialin që paraqesin në këtë plan, sportistët kosovarë gjithandej Evropës dhe në botë.

Është e ditur mirëfilli se sporti, pas vetes ka tifozët, pjesën më të madhe të popullit të një vendi.

Ndaj, gjithnjë dhe përherë, aty ku ka sport, ka frymë të shëndoshë, brohoritje, hare, gëzim për fitore. Edhe dëshpërimi pas humbjeve do të thotë mobilizim për punë e angazhim më të mirë. Pra, sporti është një pjesë e pandashme e kulturës tonë të përditshme që ka ndikim domethënës në begatimin e vlerave të jetës dhe në kohën e lirë.

Se sa ka rëndësi masivizimi i sportit në shoqëri, dëshmon e dhëna se në shtetin nga sot arrita, Gjermania mike e shqiptarëve, çdo i treti qytetar është anëtar i një shoqate sportive. Kurse fakti se po në Gjermani më se shtatë milionë vullnetarë angazhohen në më se 91 mijë klube si trajner, ndihmës, veprimtarë dhe në forma tjera, dëshmon për përkujdesin e mirëfilltë të shtetit që i kushton sportit.

Sporti, përndryshe përmbush detyrat shëndetësore-politike, duke i vënë në lëvizje të gjitha gjeneratat. Prandaj shoqëria ka obligim të hartojë dhe të realizojë projektet në funksion të kësaj. Edhe mbrojta e ambientit, dhe përparimi i kësaj fushe, në sport luajnë një rol të rëndësishëm. Zhvillimi i sportit në shkolla mundëson që përmes kësaj forme të organizimit të veprohet në mënyrë preventive për flakjen e të këqijave në mesin e rinisë, për forcimin e personalitetit të të riut tonë, ngritjes së vetëdijes dhe integrimit social.

Ndaj, sa më shumë organizata sportive, klube, asociacione, në shkolla, në fshatra, në rrethe e qendra dhe përmes ofrimit të mundësive të marrjes me sport të sa më shumë qytetarëve, madje nga mosha e hershme ose nga hapërimi në shkollë fillore, e kjo do të thotë ofrimi i mundësive që përmes sportit për të qenë të shëndoshë.

Nga kjo rrjedh edhe nevoja e investimit në sport dhe për sportistët, krijimi i fondeve të veçanta për organizimin dhe përcjelljen e kampionateve të grupmoshave të reja dhe sidomos atyre që dëshmojnë rezultate konkurruese me moshatarët e tyre të rajonit dhe më gjërë.

Sporti, pra do të thotë shumë më shumë se kaq. Ai ofron mundësi shumëdimensionale. Dhe, që këto mundësi t’i shijojë secili në shoqërinë kosovare, shtron nevojën që në nivel të shtetit, të aktivizohet një ekip kompetent që të konstatojë dinamikën shoqërore, nevojat dhe mundësitë dhe këto, t’i përkthejë në gjuhën e procesit zhvillimor të sportit.

Dhe sa më parë aq më mirë, klubet dhe komunat duhet ndikuar në krijimin e kushteve sa më të mira të punës, në stadium, palestra, terrene sportive, përmirësimi i infrastrukturës përcjellëse.

Shteti duhet të ketë platformën për plotësimin e kërkesave dhe nevojave të sportistëve për suksese ndërkombëtare, përmes dërgimit në pjesëmarrje në gara të ndryshme rajonale dhe evropiane të sportistëve, sepse kampionët e së ardhmes krijohen që nga pjesëmarrja në turne e të rinjve.

Meqë partneriteti do të thotë bashkëpunim për të mirën reciproke, sektori i ekonomisë, pra firmat kosovare, po ashtu duhet të mbështesin zhvillimin e sportit sepse kështu investojnë në ardhmërinë e shoqërisë. Përndryshe firmat, sportin duhet shikuar si model ideal për një shoqëri konkurruese.

Që të arrihen suksese në organizimin e mirëfilltë të sportit, duhet shfrytëzuar potencialin që paraqesin arsimtarët e edukatës fizike, sportistët e dikurshëm dhe sportdashësit. Prandaj angazhimi i tyre në masivizimin e sportit duhet të respektohet e shpërblehet dhe kështu duhet të tillët të motivohen. Sikundër që duhet çmuar edhe angazhimi vullnetar në organizime e manifestime të ndryshme sportive.

Uroj që sporti në Kosovë të ketë zhvillim të mbarë e të shpejtë, të ketë suksese dhe sportistë të afirmuar. Uroj që në stadiumet sportive shqiptare të mbretërojë gëzimi, hareja, fryma sportive, toleranca dhe kurrsesi dukuritë e shëmtuara që krijojnë imazhin e padëshirueshëm për sportin shqiptar. Sepse, të merresh me sport është një privilegj i mrekullueshëm që duhet të çmohet.

Në fund dua të shtoj edhe diçka, duhet të kuptoni se rruga e Kosovës nuk është kah Japonia e Turqia, ja ku e keni Gjermaninë e Evropën.

Ju faleminderit!

/zeri/