Nuk ka lëvizje të kufijve në Ballkan
Komuniteti ndërkombëtar nuk do të përkrahë në asnjë formë ndryshimin e kufijve në Ballkan, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel. Ai ka thënë se ndryshimi i kufijve do të kishte pasoja të mëdha.
Diplomati gjerman, këto komente i bëri gjatë një ligjërate që pati në Kolegjin për integrime Evropiane në Prishtinë.
”Në rastin e veriut të Kosovës është e qartë se nuk mund të jetë çështje e izoluar nga tjerat probleme. Nuk mund të izolohet veriu nga ndikimi ne Luginën e Preshevës, nga çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe nga Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Nëse i përcaktoni kufijtë në Kosovë në bazat e kriterit etnik, krijon një domino efekt në Ballkanin Perëndimor. Kur ka domino proces në zinxhir nuk do të përfundonte pa dhune dhe vuajtje”, ka thënë ambasadori Reichel, transmeton Rel.
Ndërkaq duke folur për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës, ai e ka mirëpritur vendimin e qeverisë për hapjen e zyrës administrative, duke e cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm të Prishtinës për të shtrirë autoritetin atje.
“Jo vetëm se zyra është një element i shtetësisë së Kosovës që po prezantohet në veri, por edhe sepse kjo zyrë pritet të bëjë oferta të mira pirr qytetarët atje. Në këndvështrimin tim nuk është vetëm përdorimi i forcës si kusht për zhvillim të qëndrueshëm në veri, por duhet krijuar situata kur njerëzit bindën që kanë një alternativë ndaj situatës aktuale”, ka thënë Reichel.
Sipas tij, historia e Kosovës është një shembull shumë i mirë se sa i paefektshëm është përdorim i forcës. /Telegrafi/