Negociohet fundi i UNMIK-ut
Qeveria e Kosovës, ICO dhe UNMIK-u janë duke punuar në kuadër të komisioneve të përbashkëta që dosjet me të cilat ka punuar UNMIK-u në veri të kalojnë në Zyrën e re Administrative të Kosovës. Kjo e fundit ende nuk është tërësisht funksionale pasi është në pritje të emërimit të stafit, për çka ka pasur interesim nga serbët dhe shqiptarët.
Sidoqoftë, vendimi i qeverisë kosovare ka nxitur negociata që prania ekzekutive e UNMIK-ut në veri të marrë fund përfundimisht.
UNMIK-u nuk ka pranuar të komentojë këtë informatë. “Është shumë herët për t’u përgjigjur në pyetjet tuaja”, ka thënë Oliver Salgado, shefi i Zyrës për informim i UNMIK-ut në Prishtinë, shkruan “Zëri”.
Ndërsa, ministrja në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se tashmë po diskutohet marrja e dokumentacionit me të cilin ka punuar UNMIK-u prej kohës kur këtë zyrë e hapi kryeadministratori Michael Steiner.
“Ajo çfarë mund të konfirmoj është se ka një trup të përbashkët koordinues, ku ka përfaqësues të ICO-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNMIK-ut përmes të cilit është duke bërë transferin e të dhënave dhe dosjeve etj. Normalisht kjo zyrë kur është hapur në kohën e shefit të UNMIK-ut, z. Michael Steiner, është paraparë si zyrë e përkohshme, deri në momentin kur institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të krijojnë mekanizmat e saj atje. Ky ka qenë një vendim i pritshëm edhe nga ana e UNMIK-ut, normalisht ajo zyrë atje me funksionalizimin e zyrës tonë nuk ka nevojë që të vazhdojë punën”, ka thënë ministrja Çitaku. /Telegrafi/