Kalo te lënda

Mustafa thotë se Sejdiu vizitoi shokët e tij, jo Degën e LDK-së

Prishtinë, 11 qershor – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Fatmir Sejdiu nuk e ka vizituar të shtunën degën e partisë në Komunën e Gjakovës. “Ajo nuk është degë, është një grup i shokëve të zotit Sejdiu. Ai mund t’i vizitojë shokët e vet, por jo Degën e LDK-së”, ka thënë Mustafa.
Deklaratën e Mustafës, ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka preferuar të mos e komentojë.
Por liderit të LDK-së i është përgjigjur Fetah Bakija, kryetar i Degës së LDK-së e cila për Mustafën nuk është legjitime. “Deklarata sikur këto nuk i kanë hije dikujt që është lider i një partie”, ka thënë Bakija.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, një ditë më parë është takuar në Gjakovë me përfaqësuesit e degës së kësaj partie, të krahut që nuk gëzojnë legjitimitetin nga lideri Isa Mustafa.
Sejdiu i ka bërë thirrje kreut të kësaj partie në qendër që të organizohet dhe të punojë më shumë. “Unë mendoj se lidershipi aktual e ka për borxh që të hulumtojë mënyrën dhe rrugën se si të zhvillohet më mirë dhe më fuqishëm LDK-ja. Mospranimi i kësaj dege është çështje e veprimeve të tyre dhe kujdesi që duhet të kenë për anëtarësinë e LDK-së dhe organizimin struktural të mirë të LDK-së”, ka komentuar Sejdiu, pas takimit që është mbajtur pa praninë e medieve.
Sipas tij, këta anëtarë janë të përkushtuar për LDK-në dhe duan të  respektojnë mendimin e lirë. Ai ka kërkuar që të mos kontestohet legjitimiteti i tyre. “Mendimi i lirë është i nevojshëm, sepse edhe Kushtetuta e vendit e garanton, por në të njëjtën kohë LDK-ja e ka në program”, ka thënë Sejdiu.
Duke komentuar marrëdhëniet me kryetarin aktual të LDK-së, Isa Mustafa, Sejdiu është shprehur se nuk i personalizon raportet asnjëherë. “Asnjëherë nuk e kam kontestuar zgjedhjen e zotit Mustafa në krye të LDK-së”, është shprehur ai. “Unë jam njeri që i mbetem besnik një përcaktimi politik, si të bëhet Kosova më e mirë dhe jam në rolin e miratuar edhe në Kuvendin e LDK-së, kryetarin e nderit të LDK-së. Nëse LDK-ja e konsideron që kryetari i nderit është një figurë që e nderon LDK-në, unë mbetem në atë rol gjithmonë”.
Mirëpo, të dielën, kryetari i LDK-së, Mustafa, ka thënë se kurrkush nuk mund t’ia dalë që ta bëjë legjitime një Degë e cila nuk njihet nga organet udhëheqëse të LDK-së. “Kurrkush s`mundet me legjitimu individualisht asgjë, as me mohu individualisht asgjë. Dega e Gjakovës është legjitimuar nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së dhe ajo në të cilën ka qenë (Sejdiu v.j) nuk është degë, është një grup i shokëve të zotit Sejdiu”, ka thënë Mustafa.
I pari i LDK-së e ka mohuar se është ftuar edhe ai për të qëndruar në Gjakovë nga dega të cilën ai nuk e  njeh. “Jo nuk kemi qenë të njoftuar, por nuk është ndonjë problem i veçantë”, ka thënë ai.
Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, duke mos dashur të komentojë, ka thënë se tërë atë që ka pasur ta thoshte e ka thënë në Gjakovë. “Nuk dua ta komentoj fare, absolutisht asnjë fjalë nuk kam nevojë të ta them. Ata njerëz i kam miq të mirë dhe janë punëtorë të zellshëm të LDK-së”, ka thënë Sejdiu. “Besoj që gjithmonë është ajo që e kam thënë: LDK-ja ka nevojë për gjithë strukturën e saj dhe për njerëzit e saj të mirë”.
Kryetari i Degës së LDK-së në Gjakovë, e cila për Mustafën nuk është legjitime,  Fetah Bakija, duke u përgjigjur deklaratave të Mustafës, ka ngulur këmbë në legjitimitetin e degës që ai e udhëheq. Sipas tij, nuk janë gjëra të mira këto të cilave po u fryn Mustafa. “Nuk janë gjëra të mira aspak dhe kjo po shihet haptas e kjo nuk na çon askund. Sidomos kur vjen në kohën që e kemi përpara kur shumë sfida e presin Kosovën dhe LDK-ja dihet që është një prej partive të para demokratike që ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet e përgjithshme në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është shumë joserioze të thuhet se Sejdiun e kanë pritur vetëm disa shokë të tij. “Dega e LDK-së në Gjakovë në selinë e saj ka pritur kryetarin e nderit të LDK-së, ish-presidentin, themeluesin e LDK-së, prijatarin e partisë, presidentin e pavarësisë dhe anëtarët e saj nuk kanë pritur një shok të tyre, ani pse Gjakova pret dhe miq dhe zoti Sejdiu është mik i gjakovarëve”, ka thënë ai.
Në Gjakovë LDK-ja vazhdon të ketë dy degë: atë që e përkrah Fatmir Sejdiun, e tjetra e themeluar më vonë që e përkrah Isa Mustafën. Në Degën e Gjakovës, janë mbajtur zgjedhje të reja, vitin e kaluar, të cilat janë kundërshtuar nga mbështetësit e Fatmir Sejdiut, ku kanë dalë struktura të reja që përkrahen nga udhëheqja aktuale e LDK-së.