Krerët e PTK-së i japin bonuse vetës
Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike e kishte vlerësuar Bordin e PTK-së me arritje të pjesshme dhe përmbushje jo të plotë të detyrave ndaj aksionarit, por kjo nuk e pengon korporatën publike të telekomunikimeve që, veç për paga mujore, të harxhojë edhe dhjetëra mijëra euro për bonuse për secilin nga gjashtë anëtarët e kësaj trupe udhëheqëse. Shuma e fondeve publike që duhet të jepen si bonuse ndaj Bordit po ashtu varet prej vlerësimit që i bëjnë vetes po anëtarët e bordit të korporatës, shkruan JNK.
Për shembull, për vitin 2011, kryesuesi i Bordit të PTK-së, ka marrë pagë vjetore prej 17 mijë e 558 eurosh ndërsa 11 mijë e 128 euro tjera bonuse. Anëtari tjetër i bordit dhe kryesuesi i Komitetit të Auditimit, Nuhi Ahmeti, ka marrë 17 mijë e 900 euro pagë më 2011 dhe 10 mijë e 900 euro bonuse.
Në vitin 2010, PTK ka paguar 200 mijë euro për bordin e saj. Ai përbëhet nga kryesuesi Rexhë Gjonbalaj, Elmaze Pireva, Sahit Surdulli si dhe Nuhi Ahmeti, Qamil Buzhala e Gani Sylaj.
Megjithë vlerësimet egative të Qeverisë për Bordin e PTK-se, vetëshpërbliin e tyre e ka arsyetuar korporata. Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, ka deklaruar se kjo ndërmarrje nuk posedon këtë dokument që flet për mospërmbushje të detyrave të Bordit ndaj Aksionarit, që është Qeveria e Kosovës.
Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) ka shpenzuar qindra mijëra euro për të kompensuar gjashtë anëtarët e bordit të drejtorëve.
Bazuar në raportet financiare të publikuara nga Postë-Telekomi i Kosovës, vetëm në vitin 2010 shuma totale e kompensimit që përfshin bonuset e pagën për anëtar bordi ishte rreth 200 mijë euro. Në vitin 2009 ishte mbi 190 mijë euro ndërsa në vitin 2008 ishte afro 110 mijë euro. /Indeksonline./