Konjufca: Lidhja e Prizrenit, procesi i kombformimit modern
Në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje në Prizren organizoi tribunën “134 vjet LSHP, 100 vjet shtet shqiptar, ku janë shqiptarët sot”, në të cilën ligjëruan, politikanë, historianë e letrarë nga hapësira gjithëshqiptare.
Tribunën, e cila u mbajt në kinemanë e qytetit, e hapi Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili tha se Lidhja e Prizrenit është procesi i kombformimit modern shqiptar.
Sipas tij, ajo ka ngjizur një Ide e cila kryeneçësisht, pra pas mbi 130 vitesh, synon aktualizimin e vetvetes, “e kjo do të thotë – Ideja e cila është njësi të trupëzohet si njësi. Pra, që Kombi ta ketë Shtetin e vet”.
“Lidhja e Prizrenit ka pasur një mori efektesh vendimtare për kombformimin shqiptar, duke filluar prej identitetit e deri te organizimi. Por njëri prej aspekteve më me rëndësi të Lidhjes së Prizrenit është doktrina e forcës vetanake”, theksoi Kojufca, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai përmbylli fjalën e tij, duke cituar një fragment të letrës së Pashko Vasës drejtuar ambasadorit austrohungarez të asaj kohe në Stamboll: “’Dua të jetoj, dua të shkoj përpara, dua të jem i lumtur! Përse doni të më coptoni? Jam anëtar i familjes suaj. Më ndihmoni të futem në shoqërinë tuaj dhe të marr pjesë me ju në të mirat e qytetërimit. Kam një shpirt dhe një zemër bujare, kam vullnet të mirë; …do të shihni se si, i shpëtuar nga pengesat që vënë në rrezik qenien time, do të shkoj përpara aq shpejt, sa edhe të tjerët’”.
Ndërsa , Abdi Baleta, politikan nga Tirana, ka folur për politikat shqiptare që e kanë stagnuar çështjen kombëtare, kurse Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e cilësoi si gurthemel të Lëvizjes Vetëvendosje!
Në tribunë ligjëruan edhe Fatmir Sylejmani, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Tetova, Qazim Namani historian nga Prishtina dhe Xhemaledin Salihu kryetar i Shoqatës për Trashëgimi Kulturore nga Lugina e Preshevës, të cilët u fokusuan në përgjithësi në etapat historike nëpër cilën kaluan dhe ku gjinden shqiptarët sot.
Në sheshin Shatërvan, kjo lëvizje të dielën organizoi edhe ekspozitën e fotografive. /Telegrafi/