Topi: Bashkimi kombëtar në Bruksel
Presidenti i Republikës, Bamir Topi përmes një deklarate për media ka përshëndetur 134-vjetorin e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, duke vlerësuar se kjo datë e lavdishme përcaktoi në mënyrë të qartë bashkimin e ideve dhe përpjekjeve për çlirim, mëvetësi si dhe të ardhmen e kombit tonë.
Kreu i shtetit shqiptarë theksoi se kjo datë do të mbetet ngaherë e gdhendur në kujtesën tonë historike dhe do të shërbejë si një burim frymëzimi atdhetar për brezat e sotëm të shqiptarëve dhe ata që do të vijnë më pas.
“Sot, kur Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë dhe synon t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane, kur Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe kur faktori shqiptar në Ballkan vazhdon të luajë rolin e vet vendimtar e moderator në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë, dëshiroj të vë në dukje gjithashtu se bashkimi ynë kombëtar, ashtu siç e dëshiruan stërgjyshërit tanë atdhetarë në Prizren para 134 vjetësh, do të ndodhë në Bruksel, në qendrën administrative të NATO-s dhe Bashkimit Evropian!”, u shpreh ndër të tjera Topi. /Telegrafi/