Lushnje: Treni shkel për vdekje një person
Treni i linjës Vlorë-Rrogozhinë aksidentoi për vdekje një person të dielën në mëngjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 08.10, sapo treni kaloi postbllokun në qytetin e Lushnjës.
Sipas përgjegjësit të trenit, viktima e gjinisë mashkull u hodh përpara trenit në krahun e majtë të hekurudhës, raporton TCH.
Sipas dëshmitarëve, treni ishte duke ecur me 20 km/orë dhe mesa duket viktima ka menduar të kalojë krahun tjetër të hekurudhës pa bërë mirë llogaritë me shpejtësinë. Si pasojë e përplasjes identifikimi është tepër i vështirë për momentin.
Ngjarja është parë nga qindra njerëz, pasi në kohën e aksidentit në këtë zonë të Lushnjës zhvillohet edhe tregtia me shumicë e fruta-perimeve. Megjithëse asnjë nga tregtarët e pranishëm nuk ka dhënë detaje në polici rreth ngjarjes.
Burime të policisë thonë se mendohet që viktima të jetë tregtar. Pas aksidentit, treni me mbi 100 pasagjerë qëndroi për rreth një orë në vendngjarje dhe vetëm pasi mbërriti grupi hetimor, ai nisi udhëtimin drejt Rrogozhinës. /Telegrafi/