Kalo te lënda

Gjermania fiton, Tulipanët zhgënjehen

Mario Gomez ka shënuar një gol me të cilin ia ka siguruar Gjermanisë një fillim të mbarë në “Euro 2012” të futbollit. Njëra prej pretendenteve kryesore për titull, Gjermania, të shtunën mbrëma në Lviv mposhti Portugalinë e udhëhequr nga ylli Cristiano Ronaldo me rezultatin 1:0. Gomez (72′) realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke mposhtur me një gjuajtje me kokë portierin kundërshtar Rui Patricio, pas një krosimi që mori nga Sami Khedira. Gomez nuk kishte realizuar asnjëherë për Gjermaninë gjatë fazës eliminatore për “Euro 2012”, ndërsa ai arriti të shënonte qysh në nismë të turneut final.

Gjermania me fitoren e shënuar është ngjitur në krye të Grupit B së bashku me Danimarkën.

“Panzerët” para fillimit të Evropianit janë vlerësuar pas Spanjës si favoritë kryesorë për të fituar titullin. Arsye për këtë ishte edhe fitimi i të gjitha dhjetë ndeshjeve eliminatore. Serinë e vazhduan edhe në nismë të turneut final.

Gjermania dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes, duke pasur më tepër posedim të topit, si dhe më shumë raste shënimi.

Ndërkohë, portugezëve u takoi fundi i pjesës së parë dhe po ashtu pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes.

Portugezët gjatë kësaj periudhe qëlluan dy herë traversën, me Pepen (45′) e Luis Nanin (84′).

Raste tjera për portugezët patën edhe Cristiano Ronaldo (82′), Silvestre Varela (88′) dhe Nani (86′, 90+2′). Ndërkohë për Gjermaninë rrezikuan Mario Gomez (2′, 77′), Lukas Podolski (9′, 31′), Thomas Mueller (40′)

Gjermania ka vazhduar serinë e pamposhtmërisë në ndeshjet e saj të para në Evropianë. Nga 11 ndeshjet hapëse i ka fituar gjashtë prej tyre dhe ka barazuar në pesë sosh.

Ndërkohë, Portugalia është në një seri të rezultateve të dobëta, ku ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit.

Danezët mposhtën Holandën favorite

Danezët, që sipas të gjitha parashikimeve, si të analistëve, të njohësve të futbollit, por edhe të bastoreve, vlerësoheshin si autsajder pa kurrfarë shansesh kundër reprezentacionit zëmadh të Holandës, fituan ndeshjen, sado që në të shumtën e kohës u mbrojtën, sidomos pas golit të avantazhit.

Reprezentacionet e Holandës dhe të Danimarkës, kanë luajtur në stadiumin Metalisti në kharkiv të Ukrainës, në gjiron e parë të grupit B. Lojën e kanë dominuar holandezët, thuaja se fillim e mbarim, por fitorja u takoi danezëve me rezultatin minimal 1:0.

Danezët, praktikisht, në sulmin e parë dhe në rastin e parë u traguan të saktë. Krohn-Dehli pas një mashtrimi, arriti që të shënojë nën këmbët e Stekelenburg. Ky rezultat mbeti deri në fund megjithë përpjekjet e “tulipanëve”, për të rikthyer lojën.

Holandezët iu përkushtuan totalisht ndryshimit të rezultatit. Për këtë flet edhe fakti se ata në fund luajtën edhe me shtatë sulmues, por këto përpjekje u treguan të pa efektshme.