Kalo te lënda

Fundi në bunar

Rreth tre muaj më parë, 65-vjeçarin Isa Rexhepin e kishin lajmëruar në polici si person të humbur. Por, të premten, fqinjët e gjetën trupin e tij në bunarin e shtëpisë duke përdorur një pasqyrë dhe reflektimin e rrezeve të diellit. Për ta nxjerrë kufomën nga bunari i thellë rreth 20 metra, FSK’së iu desh pothuajse një ditë e plotë.

Për tre muaj të tërë, askush nuk ka ditur se ku gjendet. Madje as vajza e tij, e cila gjendet jashtë vendit, e as fqinjët e tij. E kanë kërkuar gjithkund, po pa sukses.

Familjarë të tij e kanë lajmëruar si person të zhdukur që nga trembëdhjetë marsi i këtij viti. Policia e Kosovës disa herë kishte shkuar për ta kërkuar në shtëpi, por nuk kishte arritur ta gjejë.

Ka qenë fqinji i tij, Xhevat Ismaili, të cilit i ka shkuar mendja se ai mund t`i ketë dhënë fund jetës diku në oborrin e tashmë viktimës Isa Rexhepit rreth të 65`tave. Aty ku policia e Kosovës e kishte kërkuar për disa herë, Xhevati bashkë me një person tjetër e kishin gjetur të vdekur në bunarin e shtëpisë së tij.

Ka qenë një pasqyrë, e cila përmes reflektimit të rrezeve të diellit ka ndihmuar fqinjët e viktimës Isa Rexhepi, që ata të identifikojnë se ai i ka dhënë fund jetës duke u gjuar në bunarin e thellë rreth 21 metra.

Xhevat Ismaili, fqinji i Isës, ka treguar për Express tërë ngjarjen tragjike.