Berisha: President do të jetë Artan Hoxha
Pas Edi Ramës në emër të PS dhe Ilir Metës në emër të LSI, edhe kryeministri Sali Berisha e konfirmuar emrin e Artan Hoxhës dhe tha se të hënën në Parlament ai do të kalojë për votim me shumicë të thjeshtë.
“Një takim i zgjatur, në të cilin palët diskutuan hapur, mazhoranca bëri një përpjekje të madhe që të afrohej përsëri me opozitën. Pikërisht për këtë qëllim ne përzgjodhëm kandidatura të njohura për reputacionin e tyre në fushat përkatëse, ministra të cilët ose kanë punuar në kohëra të ndryshme me të dy krahët, ose kanë vlerësimin e të dy krahëve për punën e tyre. Por megjithë shkëmbimin e hapur të mendimeve, nuk u arrit në një kandidaturë konsensuale me opozitën. Ndërkohë mazhoraqnca vendosi që nesër të paraqesë për votim në Parlament, një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe të publicistikës shqiptare, drejtuesit të Institutit të Studimeve Bashkëkohore, institut ky që është dhe hartues i të gjitha ligjeve, të reformave veçanërisht ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit. Është Artan Hoxha në drejtim të këtij instituti”, tha Beirsha duke shprehur më tej vlerësime të vazhdueshme për z.Hoxha.
……
Përfundon pa konsensus takimi mes kryeministrit Sali Berisha, liderit të opozitës Edi Rama, kryetarit te LSI-se, Ilir Meta dhe atij te PDIU-se, Shpetim Idrizi. Nga informacionet e fundit mësohet se në raundin e katërt do të votohet kandidatura e analistit Artan Hoxha për President.
Kryetari i opozitës Edi Rama deklaroi pas takimit se tryeza e së dielës dështoi se në bisedime nuk u gjet mirëkuptimi dhe vullneti që duhet të shprehte qeveria shqiptare.
“Bëmë një përpjekje të gjatë intensive të plotvullnetshme për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë qe meritojnë, një president konsensual. Qeveria e kupton fare mire se moszgjedhja e një presidenti konsensual është një sinjal negativ për familjen europiane dhe është një zhvillim që nuk parathotë gjëra të mira për 12 tetorin”, tha Rama.
Sipas tij, në tryezë zhvillimi i bisedës e bëri të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale, raporton TCH.
“Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë që praktikisht e bënte të pamundur mbështetjen me votë, të cilësdo nga kandidaturat e ofruara”, tha Rama.
Kreu i PS-së theksoi se ka kohë deri në minutën e fundit për një reflektim, por nëse mazhoranca do të votojë për president një produkt të jetës politike qeveritare le ta votojë vetë dhe të mbajë më pas përgjegjësitë për këtë.
Negociatat u zhvilluan ne Kryesinë e Kuvendit, pak para nisjes se raundit te katërt për zgjedhjen e Presidentit te ri te Republikës. Në takim mungoi kryetari i PR-se, Fatmir Mediu, i cili ndodhet aktualisht ne Itali.
Në tryeze u hodhën edhe tre emra te tjerë kandidatesh, emri i ministrit te Mbrojtjes Arben Imami, i ministrit te Brendshëm Bujar Nishani dhe emri i këshilltarit te kryeministrit për ekonominë Petraq Milo.
Raundi i katërt kërkon vetëm 71 vota, por zgjedhja e presidentit me konsensus do te ndihmonte qe palët te kishin dakordesi edhe për reformat e rëndësishme te kërkuara nga BE-ja./Indeksonline/ …….
Ka nisur rreth orës 19:30 në kryesinë e kuvendit takimi mes liderëve kryesorë politikë, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta si dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, prania e të cilit ka qenë e papritur në këtë tryezë negociatash.
Në takim janë të pranishëm edhe dy krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.
Disa nga emrat e përfolur si kandidatë politikë për postin e kreut të ri të shtetit nga ana e mazhorancës janë Arben Imami, Bujar Nishani, Petraq Milo dhe Artan Hoxha ndërsa si kandidatë nga fusha e drejtësisë janë Ledio Bianku, Edmond Islamaj, Vitore Tushe dhe Admir Thanza, raportojnë mediat shqiptare.
Vetëm pak minuta përpara takimit me kreun e opozitës Edi Rama, kryeministri Berisha është takuar paraprakisht në kryeministri me aleatët e koalicionit qeverisës, ku është diskutuar edhe për një kandidat për postin e kreut të ri të shtetit.
Takimi mes disa prej partive parlamentare në vend vjen vetëm dy ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme.
Ditën e hënë pritet që të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit./Indeksonline/