Bedri Hamza: Që tani mund të nisim autostradën drejt Shkupit
Autostrada e dytë kosovare mund të nisë së ndërtuari këtë vit. Ministria e Financave ka marrë dritën jeshile nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të fillojë procedurat për ndërtimin e “Rrugës 6”, që duhet të lidhë Prishtinën me Hanin e Elezit, në drejtim të Shkupit.
Këtë e konfirmoi edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, shkruan koha.“Që tani mund të nisim autostradën drejt Shkupit”, thotë ai.
Ndërtimi i kësaj autostrade nuk do të ketë implikime buxhetore gjatë këtij viti. Procedurat e tenderimit që, sipas tij, mund të nisin nga kjo javë nëse janë të gatshme, mund të zgjasin deri në vitin e ardhshëm.
Ndërtimi i kësaj autostrade parashihet të ketë një kosto prej afro 600 milionë eurosh, siç parashihet me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014. Megjithatë, kostoja finale do të dihet tek pas konkurrimit të kompanive në tenderin për shprehje të interesit.
Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit është prezantuar në vitin 2010. Është thënë se ajo do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.
Dy tunelet e planifikuar në këtë autostradë, ku më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra, janë vënë në pikëpyetje./Indeksonline/
