VV kundër privatizimit të Distribucionit të KEK-ut
Privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike duhet të ndalet. Propozimi i fundit i Komitetit Qeveritar të Privatizimit, pasi që i kishin hapur ofertat për Distribucionin, që duhet vazhduar me procesin e privatizimit të kësaj kompanie nuk ka as logjikë ekonomike dhe është jashtëzakonisht e dëmshme në aspektin strategjik, konstaton Lëvizja Vetëvendosje.
“Distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës. Ato duhet të mbeten të tilla për shkak se furnizimi me energji elektrike është i domosdoshëm dhe e drejtë që secili qytetar duhet ta gëzojë. Drejtësinë dhe domosdoshmërinë nuk na e përmbush tregu por institucionet publike shtetërore të cilat janë të popullit dhe i japin atij llogari. Qasja në energji elektrike na cenohet atëherë kur mbizotëron logjika e tregut në këtë sektor. Pra po na cenohet pikërisht me politikat e qeverisë së Thaçit, të cilat tërë sektorin e energjisë po e dizenjojnë sipas logjikës së tregut dhe profiti privat. Është e vërtetë se sot jetojmë në kushte të shpërdorimit të skajshëm të postit dhe institucionit publik nga qeveria dhe partia në pushtet. Mirëpo privatizimi i ndërmarrjeve publike është humbje e mundësisë së kontrollit demokratik mbi këto ndërmarrje nesër”, thuhet bnë një komuniat të kësaj partie.
Infrastruktura e shpërndarjes së energjisë është monopol natyror. Nuk ka logjikë që secili ofrues i energjisë elektrike (po qe se vërtetë duhet ta liberalizojmë këtë si treg) ta ndërtojë rrjetin e ndarë të shpërndarjes, konstaton Vetëvendosje. “Monopoli privat në asnjë mënyrë nuk mund të jetë I mirë për ekonominë e as për qytetarët, për shkak se kontrolli i tij përmbi sektorin e energjisë bëhet absolute. E kontrolli mbi energjinë është kontroll mbi shtetin, ekonominë e shoqërinë. Energjia dhe infrastruktura e shpërndarjes së saj është çështje sovraniteti. Ajo prek politikat shtetërore, por edhe popullin kolektivisht dhe secilin qytetar veç e veç. T’ia lëmë këtë në dorë një kompanie private (pa kurrfarë rëndësie se kush është ajo) është t’ia lëmë në dorë shtetin tonë, mundësinë tonë për zhvillim dhe mirëqenien tonë si qytetarë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
“Distribucioni nuk është vetëm infrastrukturë, por është edhe organizatë. Aktualisht kjo pjesë punëson afërsisht 3000 punëtorë. Tashmë KEK-u ka filluar atyre t’ua ndryshojë kontratat duke u imponuar kontrata jo më të gjata se 3 vjeçare. Tërë kjo si përgatitje e privatizimit të Furnizimit dhe Shpërndarjes, për t’ia lehtësuar kompanisë që e blen menaxhimin e punëtorëve. Çështja e punëtorëve të këtyre njësive të KEK-ut aq që po problematizohet nga qeveria e Kosovës. Ndërkohë që kur flet për këtë çështje naivisht ministri i Zhvillimit Ekonomik deklaron se ata nuk rrezikojnë ta humbin vendin e punës. Për këtë ai e përdorë kontratën aktuale të këtyre punëtorëve si garancë. Po çka ndodh pas 3 vjetëve? Punëtorët e KEK-ut nga qeveria po trajtohen si barrë, kur ata janë pasuri. Ekspertiza dhe përvoja e tyre është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ndërmarrjes në veçanti dhe sektorit të energjisë në përgjithësi. Por me këtë qeveri e cila e do eksploatimin në vend të zhvillimit punëtorët që prodhojnë dhe zhvillojnë trajtohen si problem/barrë që duhet hequr qafe. Si pronë që duhet shitur, e jo si qytetarë që gëzojnë të drejta.
Sikur përvoja e Shqipërisë po ashtu ajo e Maqedonisë e ka dëshmuar se privatizimi I rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit e shtrenjton jashtëzakonisht shumë energjinë elektrike për konsumatorët. Kjo ndodh për shkak se kompania që e blen këtë infrastrukturë e do atë për profit, por edhe për shkak se konsumatorëve nuk u jepet zgjidhje tjetër për shkak të monopolit. Nuk ka kurrfarë elementi në privatizimin e Shpërndarjes dhe Furnizimit në Kosovë që ta bëjë këtë proces privatizimi të ndryshëm. Rrjedhimisht edhe te ne çmimi i energjisë elektrike do të ngritet. Kur ia shtojmë kësaj edhe dobësinë e theksuar të institucioneve shtetërore, çështja vetëm sa rëndohet dhe përkeqësohet”, konstaton VV. Sipas kësaj partie, rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë ka shtrirje prej 18,898.43 km.
“Kjo është vetëm infrastruktura e shpërndarjes pa i llogaritur objektet dhe pasurinë tjetër të kësaj ndërmarrjeje. Këtë e kemi ndërtuar me mundin dhe paratë tona. Qeveria nuk ka të drejtë ta shes është pasuri e cila na takon të gjithëve. Po ashtu kjo kompani sot ka një treg të zhvilluar prej 400 000 konsumatorëve. E tërë kjo po shitet për 26.3 milionë euro. Kjo as për së afërmi nuk e mbulon vlerën reale të kompanisë e aq më pak potencialin përfitues të saj në të ardhmen. Pra praktikisht me këtë çmim Shpërndarja dhe Furnizimi po falen”. Vlerëson VV.
“Ne jemi kategorikisht kundër privatizimit të Shpërndarjes dhe Furnizimit. Kjo është një ndër pasuritë më të rëndësishme strategjike të Kosovës, dhe duhet të mbetet e Kosovës. Të gjithë ekspertët e energjisë, sindikatat e punëtorëve, organizatat e shoqërisë civile, e kanë kundërshtuar këtë proces privatizimi. Për të janë vetëm Hashim Thaçi, Besim Beqaj dhe njerëzit që u shërbejnë atyre. Këtë duhet ta dinë këta dy njerëz. Por më me rëndësi këtë duhet ta di kompania që ka shprehur interesim për ta blerë kompaninë tonë publike. Kjo blerje e Shpërndarjes dhe Furnizimit nuk është e mirëpritur në Kosovë, e njerëzit me të cilët këta po merren vesh (Hashim Thaçi e Besim Beqaj) nuk janë as të përhershëm e as shumica”, konstaton VV-ja. /Indeksonline/