Jam i gatshëm ta takoj kryeprokurorin
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka folur rreth keqpërdorimit të testeve për patentshoferë. Ai ka treguar se keqpërdorimi i rrjetit të patentshoferëve mund të jetë aq i vjetër për aq sa ekziston organizimi i dhënies së patentshoferëve në Kosovë.
“Çështja e patentshoferëve është temë e vjetër dhe unë dua të besoj se keqpërdorimet, shpërdorimet kanë qenë të mundshme për një kohë të gjatë. Tani se në cilin nivel apo në çfarë shkalle janë këto keqpërdorime nuk është çështje e imja ta konfirmoj. Për ketë janë të thirrura organet e drejtësisë. Prej një vit e më tepër, për aq sa e drejtoj këtë ministri, mund t’ju them se përpjekja jonë për të vendosur rregull, zbatim të ligjit në fushën e patentshoferëve ka ngritur një shqetësim te një strukturë e caktuar e njerëzve, pa dashur që këtu askujt t’i bëj gjyqe, ndonëse ka përpjekje për t’ia bërë gjyqin ministrit nga ata që në një mënyrë apo tjetër kanë qenëtë përfshirë në rastin konkret”, ka thënë Mujota për ‘Epokën e Re’.
Mujota ka thënë se në muajin e dytë të punës si ministër ka vërejtur keqpërdorim të patentshoferëve.
“Në kohën kur e kam marr detyrën e ministrit për dy muajt e parë të punës vazhdimisht më është raportuar për një përqindje të lartë të kalimit të kandidatëve. Dhe t’ju them të drejtën më ka shqetësuar ky fakt. Diku mesatarja e kalueshmërisë së testit është sjell deri në 80 për qind, në raste të caktuara edhe 100 për qind. Zhvillimet e tilla mendoj se kanë qenë burim i rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe për dëmtimin e pronës së Republikës së Kosovës. Duke qenë të bindur se kjo nuk po ndodh në mënyrë meritore, e që, në fakt, ne dëshirojmë që kandidatët tanë të jenë të përgatitur në këtë nivel. Zyrtarët e kësaj ministrie kanë dyshuar se testi, pra përgjigjet, kanë rënë në duart e kandidatëve”, ka thënë Mujota.
Për çështjen e tanishme, Mujota ka thënë se nuk ka zyrtarë të shkarkuar. “Duhet t’u lëmë hapësirë hetimeve të shkojnë deri në fund. Kohë më parë kam kërkuar një auditim të jashtëzakonshëm dhe do t’i presim rezultatet e hetuesisë se çfarë do të tregojnë për këtë rast”, është shprehur Mujota.
Në lidhje me ketë rast ministri Mujota ka thënë se është i pastër. “Për këtë rast mund t’ju them me vendosmëri të gjithë qytetarëve të Kosovës se jam i pastër, i kristaltë. Fajësia ime mund të jetë kjo: ‘se pse kam zbuluar shpërdorimet, pse është njoftuar policia për shkeljet ose daljet e testeve për një kohë të caktuar në publik’”, ka thënë Mujota, duke iu berë thirrje publike organeve të drejtësisë që të zbardhin rastin. “Në asnjë rast deri më tani, por edhe në të ardhmen nuk do të kem ndonjë hezitim për t’u ballafaquar me drejtësinë për cilindo problem.
Prej tani jam i gatshëm ta takoj kryeprokurorin e Kosovës dhe të gjitha nivelet e tjera të drejtësisë. Jam i hapur që deri në fund ta kërkoj sqarimin e kësaj çështje sepse është në të mirë të Republikës së Kosovës, qytetarëve të këtij vendi”, është shprehur Mujota.
Mujota ka thënë se nuk është duke u hetuar për ketë rast. “Jo. Organet e drejtësisë nuk më kanë bërë asnjë pyetje të vetme. Por, e ftoj kryeprokurorin, organet e drejtësisë ta çojnë këtë proces deri në fund. Nëse është ministri fajtor për diçka, është se pse ka luftuar të keqen dhe ka bërë publike çështjen e mundësisë së keqpërdorimeve të testeve që kanë ndodhur në publik.”, ka thënë Mujota. /Indeksonline/