BE, Serbisë: Nuk e ke kusht ta njohësh Kosovën
Njohja e Kosovës shtet, nuk është kusht për Serbinë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ka thënë Peter Sano, zëdhënësi i komisionerit evropian, Stefan Fyle.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që të shënohet progres në dialogun me Prishtinën dhe marrëveshjet e arritura të zbatohen por kjo nuk do të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet. Sano ka thënë se kjo është bërë e qartë në konkluzioniet e Këshillit të Evropës në mars të vitit 2012. “Serbia nuk është e detyruar ta njohë Kosovën”, ka thënë ai.
Ndërkohë edhe zëdhënësja e zyrtares së lartë të BE-së, u ka thënë mediave serbe se Serbia ka marrë disa hapa shumë të nevojshëm sa i përket integrimit evropian por edhe çështjes së Kosovës.
Këto reagime nga Brukseli vinë pak ditë pasiqë presidenti serb, Tomislav Nikoliq, ka thënë se gjatë vizitës së tij në Bruksel do të kërkojë të dijë nëse njohja e Kosovës është kusht i Serbisë për antarësim në BE./Indeksonline/