Kalo te lënda

Turqit e marrin edhe distribucionin e energjisë

Konsorciumi turk Limak-Çalik me ofertën prej vetëm 26 milion e 300 mijë euro, është shpallur ofertuesi i preferuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike të KEK-ut. Kjo pas hapjes së ofertave financiare që janë bërë të premten, nga ku ishin vetëm dy ofertues.

Me këtë hap fillon procedura e negociatave deri në vendimin përfundimtar kur do të marrë Qeveria e Kosovës, të cilës i mbetet të vendosë nëse do ta shpallë fitues përfundimtar apo ta kthejë procesin sërish nga e para.

Këshilltari i pavarur Joe Oliver ka thënë se Komiteti Qeveritar ka qenë profesional dhe ka zbatuar të gjitha rregullat e prokurimit gjatë gjithë procesit.

Ndërsa, vëzhguesja në procesin e vlerësimit të ofertave, Roxanne Surtgar, nga USAID-i, ka shprehur bindjen se Qeveria e Kosovës e ka menaxhuar procesin e privatizimit të KEDS-it në mënyrë transparente dhe profesionale, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pjesëtar i Komitetit Qeveritar për Privatizim, ka thënë se gjatë këtij procesi është arritur siguria e furnizimit me energji dhe siguria për tarifa të përballueshme për konsumatorët.

Ndërsa Ismail Ergunes nga konsorciumi i Limak–Çalik, duke e quajtur këtë proces si shumë transparent dhe të drejtë, ka thënë se çmimi nuk ka rëndësi, por sipas tij, duhet investuar shumë më shumë në rrjet.

“Ne i dimë të gjitha problemet në rrjetin e shpërndarjes së Kosovës, ne i kemi të gjithë interesat e përbashkëta. Nëse neve na jepet ky projekt, dëshirojmë ta avancojmë rrjetin e shpërndarjes dhe ta përmirësojmë cilësinë e shërbimeve, ky është qëllimi kryesor. Ne menaxhojmë pesë milion konsumatorë në Turqi dhe kemi tri kompani të shpërndarjes. Sipas përvojës tonë të privatizimit në Turqi, çmimi nuk është gjëja më e rëndësishme. Nëse ju doni të keni shërbime të mira, furnizim me energji dhe siguri për këtë duhet të investohen shumë më shumë të holla në rrjet”, ka thënë ai.

Limak-Çhalik ishte njëri nga dy ofertuesit në këtë proces, i cili ofroi 3.5 milion euro më shumë se ofertuesi tjetër.

Limak ka koncesionuar edhe aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.