Kalo te lënda

Thaçi dhe Noda: Kosova dhe Japonia do thellojnë bashkëpunimin

Në ditën e tretë të vizitës së tij zyrtare në Japoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, takoi Kryeministrin e Japonisë, Yoshihiko Noda.

Kryeministri Thaçi falënderoi Kryeministrin Noda për mbështetjen që i ka dhënë Japonia Kosovës tash e 13 vite, si dhe shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e popullit të Kosovës për popullin Japonez, pas tërmetit dhe cunamit, që ka goditur Japoninë vitin e kaluar.

Kryeministri Thaçi e informoi Kryeministrin Noda për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.

“Kosova është një vend i vogël, por i mundësive të mëdha. Ne tani duhet të mbyllim kapitullin e asistencës dhe të hapin kapitullin e zhvillimit dhe investimeve. Kosova ofron mundësi të mëdha për investime sidomos në fushën e minierave, energjisë, bujqësisë dhe turizmit” – theksoi Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Noda shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së tij për thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë.(INFOSOT)