“Raporti i Dick Martyt, një re e zezë për rajonin”
Kreu i ekipit special të EULEX-it që heton akuzat e Dick Martyt, John Clint Williamson, ka folur për herë të parë në lidhje me këtë rast.
Ai ka thënë se të gjitha dëshmitë për këtë rast, janë duke u hetuar dhe analizuar por që nuk do të bëhen publike njëherë për njëherë.
“Natyra e këtij hetimi është aq e ndjeshme saqë ne do të bëjmë gjithçka prapa dyerve. Asnjë nga hetuesit nuk është i autorizuar të japë informacione deri ku kanë shkuar hetimet”, ka thënë ai.
Williamson ka thënë se është duke u analizuar çdo detaj në lidhje me këtë rast, dhe për këtë ka thënë ai, hetimet janë duke u kryer në një vend me seli në Bruksel, ku edhe janë marrë një sërë masash që ekipi të sigurohet se nuk do të cenohet asnjë dëshmi për rastin.
Ai ka thënë veç tjerash se raporti i Dick Martyt paraqet një “re të zezë në rajon” dhe se ai “ka dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”./Indeksonline/