Qeveria e pavendosur në themelimin e Mitrovicës veriore
Në vendimin për themelimin e Zyrës Administrative të Mitrovicës veriore, Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur vendosmërinë e prerë që ky mekanizëm të ekzistojë derisa të themelohet komuna e re në veriun e banuar me serbë. Ka lënë hapësirë edhe për ndonjë zgjidhje tjetër.
“Zyra Administrative e Mitrovicës veriore do të ekzistojë deri në themelimin e Komunës së Mitrovicës veriore, ose derisa të vendoset ndryshe nga Qeveria”, thuhet në paragrafin e parë të vendimit.
Kjo ka shkaktuar dilemën nëse Qeveria ka ndërmend të themelojë Komunën e Mitrovicës veriore, siç parasheh Plani Ahtisaari mbi bazën e të cilit ka shpallur Kosova pavarësinë, shkruan koha.
Ajo çka parasheh plani është refuzuar të pranohet nga serbët që popullojnë veriun, prandaj komuna nuk ka mundur të themelohet deri tash.
Dhe tani, kur ky plan do të humbë statusin e dokumentit që është mbi Kushtetutën për nga fuqia juridike, mekanizmat vendës dhe ndërkombëtarë kanë vendosur që çështjen e Mitrovicës veriore ta trajtojnë ndaras./Indeksonline/