Kalo te lënda

Arrestohen 8 aktivistë të Vetëvendosjes në Kaçanik

Për nder të afrimit të Ditës së Çlirimit të Kaçanikut që përkujtohet në 11 qershor, Komuna e dekoroi qytetin me flamuj kombëtarë dhe me flamujt verdhë e kaltër të Hashim Thaçit.

E aktivistë të VETËVENDOSJE!-s në Kaçanik së bashku me disa qytetarë dolën në aksion për të hequr flamujt jo-shqiptarë, e për të lënë në dekorim të qytetit vetëm flamujt kuqezi, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Më tej thuhet se gjatë këtij aksioni ka ndërhyrë ashpër policia, e cila ka mbrojtur flamujt e Thaçit, dhe ka arrestuar dhunshëm: Basri Kodrën, kryetarin e Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Kaçanik, dhe aktivistët Kenan Trupi, Ardian Dema, Kenan Berisha, Gëzim Mezini, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Gëzon Kastrati.

Vetëvednosje thotë se flamuri i Ahtisaarit nuk ka asnjë lidhje me datat historike të kombit shqiptar dhe shqiptarëve. Nëse datat historike paraqesin kulmimin e përpjekjeve e sublimimin e vullnetit për liri e bashkim, ky flamur paraqet në mënyrën më të qartë shkeljen e vullnetit të shqiptarëve përmes imponimit të një projekti të dëmshëm politik, siç është Plani i Ahtisaarit.

Flamuri i Ahtisarit, sipas Vetëvendosjes, nuk është flamur i popullit të Kosovës por i atyre politikanëve të cilët pavarësinë e kanë shpallur për vete e jo për popullin. Dita e çlirimit nuk duhet të jetë ditë e çlirimit të politikanë por ditë e çlirimit të popullit, veç tjerash edhe nga ky lloj i politikanëve. Kremtimi i ditës së çlirimit të popullit nuk mund të bëhet duke përdorur si simbol flamurin e këtyre politikanëve.

Aktivistë të Vetëvendosjes, kanë thëën se ta vendosësh flamurin e Ahtisaarit në prag të datave të shënuara historike është fyerje e dinjitetit të qytetarëve te Kaçanikut.

sipas Vetëvendosjes, përpjekjet e shqiptarëve ndër shekuj janë kundërthënëse me projektin multietnik të Hashim Thaçit. Flamuri kombëtar është i papajtueshëm me atë të Ahtisaarit.

Nëse i pari na afirmon ne si bashkësi politike, duke mos i përjashtuar të tjerët, flamuri i Ahtisaarit e përjetëson konfliktin midis popujve që i ka kategorizuar si bashkësi etnike. Flamuri kombëtar është popullor, flamuri i Ahtisaarit është perandorak, thuhet në Komunikatën e Vetëvendosjes./Indeksonline/

…….

8 aktivistë të Vetëvendosjes, janë arrestuar nga policia e Kosovës në Kaçanik.

Ata janë arrestuar pasi që e kanë hequr flamurin e Ahtisarit.

Aktivistët që u arrestuan janë: Basri Kodra, Kenan Trupi, Ardian Dema, Gzim Mezini, Kenan Berisha, Zgjim Hyseni, Gzon Kastrati dhe Frashër Krasniqi./Indeksonline/