Vetëdigjet me benzinë babi i dy fëmijëve
Poliçan – Një 55-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke u djegur me benzinë në Malin e Tomorrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e shenjtë të njohur si Kulmak në mal, rreth pasdites së sotme.
55-vjeçari kishte shkuar me taksi që nga banesa e tij, deri në vendin e shenjtë.
Pasi ka mbërritur atje i ka telefonuar bashkëshortes së tij, duke i treguar për veprimin ekstrem që do të kryente. Ka qenë kjo e fundit që ka njoftuar policinë, e cila e ka gjetur në gjendje tepër të rëndë 55-vjeçarin.
Flamur Guri u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku mësohet se është në gjendje tepër të rëndë, për shkak të djegieve të shumta në të gjithë trupin.
Sipas policisë, Flamur Guri, me profesion elektricist, baba i dy fëmijëve, ka tentuar t’i japë fund jetës duke derdhur benzinë në trup dhe pastaj i ka vënë flakën vetes. Ende nuk dihen arsyet e krimit, por dyshohet se 55-vjeçari ka qenë në gjendje të rëndë depresive në momentin e ngjarjes.