Serbët djegin flamurin shqiptar në Zvicër, reagojnë ambasadat (VIDEO)
Ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi dhe ai i Kosovës, Naim Malaj, në Zvicër kanë reaguar pas djegies se flamurit shqiptar në miqësoren Spanjë – Serbi, të luajtur në stadiumin e Saint Gallenit, dhe pas thirrjeve raciste të një grupi tifozësh serbë që thoshin vazhdimisht “vdekje shqiptarëve”.
Në komunikatën e përbashkët për shtyp, dy ambasadorët kanë theksuar se këto ngjarje kanë tronditur shqiptarët.
“Këto akte dhune dhe racizmi që nxisin urrejtjen dhe tensionet etnike bien në kundërshtia me vlerat demokratike”, thuhet mes tjerash në komunikatën e përbashkët të dy ambasadave shqiptare, duke theksuar se “futbolli është një sport i bukur që duhet të frymëzojë ndjenjat e solidaritetit dhe miqësisë”.
Në fund, dy ambasadorët, Elezi dhe Malaj i kanë kërkuar autoriteteve zvicerane dhe FIFA-s të marrin masat e duhura për të ndëshkuar aktorët e këtyre akteve të turpshme. /Zëri/