Predhat nga Kosova Shpërthehen në Bullgari
Predha të blera ilegalisht nga Kosova janë shpërthyer në objektin e magazinimit të municionit në afërsi të qytetit të Yambol në Bullgari, ku të martën ndodhi një shpërthim. Tre punëtorë vdiqën, ndërsa disa të tjerë u lënduan. Hetuesit thonë se depoja kishte grumbulluar më shumë municione se që ishte e lejuar.
Predha të blera nga Kosova janë shpërthyer në objektin e magazinimit të municionit në afërsi të qytetit të Yambol në Bullgari, shkruan gazeta bullgare “Standart News”.
Sipas gazetës, hetuesit kanë gjetur se shumica e municioneve në depon private tregtare “Bereta Trading” janë blerë në mënyrë ilegale.
Nuk qartësohet për çfarë sasie municionesh “të blera legalisht nga Kosova” bëhet fjalë, sikurse nuk jepen as detaje të tjera. Banorët në qytetin Yambol thuhet se kanë parë kamionë të rëndë derisa hynin, gjatë natës, në mjediset e magazinimit. Përveç heqjes së municioneve, “Bereta Trading” gjithashtu merret me tregtimin e armëve dhe të municioneve, prandaj gjëra të tilla, janë gjetur gjithashtu në vendin e shpërthimit, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Anyu Angelov.
Angelov ka thënë se menaxhmenti i kompanisë është përgjegjës për mbajtjen e më shumë municioneve, se që ishin të lejuar.
Të martën, një seri shpërthimesh ndodhën në këtë depo, duke lënë të plagosur nëntë punëtorë. Kurse tre punëtorët e zhdukur nga vendpunishtja e parë që shpërtheu janë gjetur dje vonë, të djegur.
Sipas ekspertëve që kanë dalë në vendngjarje, një telefon mobil, i lënë në vibrim, dyshohet se ka shkaktuar shpërthimin e municioneve. Hetuesit, po ashtu, kanë gjetur se punonjësit tymosnin cigare në ambientet e punishteve.
“Shpërthimi ka shkaktuar një krater të madh me diametër 7-8 metra”, ka thënë për mediat, zëvendësministri bullgar i Mbrojtjes, Valentin Radev, pasi kishte inspektuar vendin e shpërthimit.
Prokuroria e qytetit në Yambol tashmë ka nisur një procedurë paragjyqësore. Pronari i depos është thirrur si dëshmitar.