Hyseni i druan futjes së Kosovës në klubin e vendeve pa identitet
Prishtinë, 7 qershor – Në pjesën e parë të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti nga radhët e LDK-së, Skender Hyseni tha sot se paralajmërimet e Qeverisë për aplikim për anëtarësim të Kosovës në OKB janë shqetësuese. Siç u shpreh ai, Qeveria nuk ka dijeni për anëtarësimin e Kosovës në OKB, pasi që kjo bëhet përmes Këshillit të Sigurimit dhe Rusia e Kina mund ta përdorin veton, raporton rtk-ja. Hyseni më tej theksoi se ka përpjekje që Kosova të dërgohet në drejtim të klubit të Saharasë Perëndimore dhe Palestinës. “Ka pasur paralajmërime se Qeveria mund të aplikojë për status vëzhguesi. Kjo është akoma më e dëmshme dhe më e rrezikshme, sepse Kosovën drejtpërsëdrejti e çon në drejtim të klubit të ashtuquajtur të vendeve ose etniteteve pa identitet ose me gjysmë identitet, siç është Saharaja Perëndimore dhe Palestina”, tha Hyseni. Ndërkaq, deputeti Zenun Pajaziti, nga radhët e PDK-së, kërkoi nga institucione të ndryshme që të bëjnë monitorimin e gjykimit të Grupit të Gjilanit në Preshevë, sepse, sipas tij, ai gjyq është i porositur dhe i montuar politikisht. Kuvendi i Kosovës miratoi sot rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me rolin dhe pozitën e fëmijëve në Kosovë. Në këto rekomandime ndër të tjera përfshihet programi gjithëpërfshirës për arsimin e hershëm të fëmijëve dhe hartimi i një ligji për të drejtat fëmijëve. Kuvendi po ashtu miratoi Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Deputetët nuk e kanë miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për 2011. Rreth këtij raporti u zhvillua një debat i nxehtë, me akuza e kundërakuza ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të koalicionit qeverisës./koha/