Procesi i privatizimit po dëmton imazhin
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, i kritikuar për shkak se nuk përmbushi pritjet për zhvillim ekonomik dhe për mirëqenie sociale, ka rrezik që të degradohet dhe të komprometohet edhe më shumë. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK)me shqetësim po përcjell zhvillimet në këtë fushë dhe është e befasuar pse Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk po merr guxim dhe forcë që të të zbatoj ligjshmërinë.
Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu thotw se AKP-ja për një kohë të gjatë nuk e ka kuptuar tërë problemin që ndërlidhet me emrin e hotelit Grand. ai thotë se dyshimet rriten për shkak të marrëveshjeve të fshehta që kanë ekzistuar ndërmjet partnerëve. “ Deklarimet e këtilla, pesë vjet pas privatizimit të këtij hoteli, dëshmojnë se AKM-ja, më vonë edhe AKP-ja, qëllimisht kanë heshtur për zhvillime e këtilla”, tha Gërxhaliu.
OEK-u është e befasuar pse AKP-ja po merret me çështjet, të cilat nuk do të duhej të ishin brengë e saj. Ajo ka dëshmi të mjaftueshme për atë se kush është blerësi legjitim i hotelit “Grand” dhe të mos merret fare me subjektet, apo individët e tjerë që pretendojë për aksione.
“OEK vlerëson se zhvillimet e këtilla në procesin e privatizimit dhe mosgatishmëria e AKP-së që të reagoj me kompetencë, në mënyrë të drejtë dhe energjike, po dëbon investitorët e jashtëm dhe të brendshëm, kurse vendi po largon edhe më shumë nga zhvillimi dhe transformimi i drejtë dhe i ligjshëm”.
Kryetari i OEK-ut e shqetëson fakti se pse është pritur që nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore të nxisë një cikël të ri të zhvillimin dhe koncept bashkëkohor të organizimit dhe funksionimit të subjekteve ekonomike. “Për shkak të mosdashjes për veprim, AKP-ja po mban nën tension bizneset, si është rasti i hotelit ‘Grand’, por edhe po bllokon vullnetin për investime dhe zhvillim”, thekson Gërxhaliu.