Panairi i librit “Prishtina 2012” deri më 10 qershor
Në Prishtinë prej dje është hapur edicioni i 14-të i panairit të Librit “Prishtina 2012”, ku po marrin pjesë rreth 80 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Organizatorët u kujdesën të nderonin Atalanta Paskon, të bijën e Mitrush Kutelit, e cila në Panair merr pjesë me shtëpinë botuese “Kuteli”.
Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se Panairi i librit është një nga kryengjarjet kulturore.
Kryetari i shoqatës së botueseve në Kosovë Daut Demaku tha se këtë vit prezantohen rreth 1600 tituj librash të rinj. “Zakonisht në panaire flitet shumë për librin, nëpër panaire botërore janë thënë fjalë të mëdha e gjëra të mëdha, dhe një prej tyre është se kur hapen panairet nuk është mirë të flitet për librin”, ka thënë Demaku.
Ndër risitë e panairit, për herë të parë në panairin e Prishtinës vjen shtëpia botuese Saras nga Shqipëria.
Panairi Prishtina 2012 do të jetë i hapur deri më 10 qershor.